Besnik Nikolli alias Niko ose “El Gordo” i kapur disa ditë më parë në Kolumbi ndoshta do të kishte vijuar jetën në arrati sikur të mos “tradhtohej” nga dobësia e tij për gratë.

Prej më shumë se 10 vitesh, oficerë të inteligjencës nga të paktën katër vende kanë qenë në kërkim të Nikollit, si drejtues i një organizate shqiptare në trafikun e kokainës, heroinës dhe drogave të tjera në rajon, nga Lioni i Francës.

Në dosjen e tij thuhet se oficerët e inteligjencës nga Europol dhe Interpol morën informacion se Nikolli vendosi në vitin 2021 të transferohej në Kolumbi për të krijuar aleancat me kartelet që veprojnë në vend.

Ai ka qëndruar i fshehur në një lagje të njohur të Santa Martës për dy vjet pa u zbuluar. Por ndërkohë sipas një investigimi të prestigjiozes, EL TIEMPO-s  ai ishte aktiv në rrjetet sociale madje komunikonte dhe shkëmbente foto me gra të ndryshme që njihte në rrjet. Ka qenë një seri fotosh dërguar këtyre grave çelësi për gjetjen e vendndodhjes së tij.

Sipas autoriteteve, shqiptari rrallëherë dilte nga rezidenca e tij, një apartament modest në lagjen San Pablo në Santa Marta, ku organizonte festa me gra që i paguante. “Ai u thoshte zonjave se jetonte në Bogota dhe se shkonte në bregdet vetëm për një shëtitje,” siguroi një burim gjyqësor.

Besnik Gjergji Nikolli sipas punës së inteligjencës, kishte lidhje me strukturat e trafikut të drogës në Shqipëri, Holandë dhe Gjermani, të cilët ishin partnerë të tij në Evropë dhe ishin përgjegjës për marrjen e lëndëve narkotike.