U kapën në flagrancë duke transportuar me furgon, sende të ndryshme që sapo i kishin vjedhur në një banesë, vihet në pranga 1 shtetas, procedohet penalisht bashkëpunëtori i tij.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë vjedhur edhe në një magazinë, në Shkozet, disa ditë më parë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit se në banesën e një shtetasi, ishin vjedhur sende të ndryshme, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u kapën në flagrancë, në afërsi të portit të Durrës, duke transportuar me furgon, sendet e vjedhura në banesë, shtetasit Muhamet Mara dhe D. A.

Nga veprimet hetimore të mëtejshme rezultoi se këta 2 shtetas kishin vjedhur sende të ndryshme edhe në një magazinë, në Shkozet, më datë 19.05.2024.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua shtetasin Muhamet Mara, 65 vjeç, banues në Durrës, dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. A., 17 vjeç, banues në Durrës.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.