Inspektorë të AKU në Korçë, inspektuan 2 biznese në qytetin e Korçës, konkretisht në një stabiliment të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, si dhe në stabilimentin e përpunimit të mishit të pulës.

Ky monitorim u mbikqyr nga afër nga një ekip i inspektorëve të Inspektoriatit të Përgjithshëm, për të parë nga afër ndjekjen e procedurave ligjore, sjelljen korrekte dhe profesionale të inspektorëve, dokumentimin e plotë dhe të rregullt të çdo hapi, si dhe verifikimin e autorizimit të inspektimit dhe dokumentacionit shoqërues përkatës.

“Këto inspektime rastësore të paralajmëruara realizohen në kuadër të transparencës me publikun dhe në zbatim të ligjit nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, ndërsa Inspektorati i Përgjithshëm ishte në terren për të mbikëqyrur procesin e inspektimit.

Gjatë mbikëqyrjes, vëmendja jonë u përqendrua te ndjekja e procedurave ligjore, sjellja korrekte dhe profesionale e inspektorëve, dokumentimi i plotë dhe i rregullt i çdo hapi, si dhe verifikimi i autorizimit të inspektimit dhe dokumentacionit shoqërues përkatës.

Po ashtu, u monitorua përdorimi i mjeteve dhe pajisjeve të duhura të punës sipas standardeve, përfshirë mjetet e identifikimit zyrtar, formularët/aktet e nevojshme, pajisjet për regjistrimin dhe raportimin e të dhënave (përfshirë mjetet digjitale), si edhe pajisjet mbrojtëse kur kërkohet nga natyra e kontrollit.

Të gjitha gjetjet dhe vlerësimet pasqyrohen në raportin e Inspektoratit të Përgjithshëm mbi performancën e trupës inspektuese, i cili shërben për analizim, përmirësim të standardeve dhe rritje të llogaridhënies.

Inspektorati i Përgjithshëm realizon mbikëqyrje vetëm mbi trupën inspektuese dhe mënyrën se si zhvillohet procesi i inspektimit, për të garantuar integritetin, ligjshmërinë dhe zbatimin e standardeve. Ky monitorim synon transparencë maksimale, zbatim të njëjtë të procedurave për të gjithë dhe forcim të besimit publik te procesi i inspektimit”, thuhet në njoftimin e Inspektoriatit të Përgjithshëm.