Jose Mourinho pritet të rikthehet si trajner te Real Madridi. Portugezi, i cili mori drejtimin e Benficës në shtatorin e kaluar, sot do të mbyllë aventurën e tij në Lisbonë me ndeshjen e fundit në pankinën e klubit portugez.

Sipas mediave spanjolle, gjithçka mes Mourinhos dhe Real Madrid është dakordësuar dhe mungon vetëm firma në kontratë. Lajmi është konfirmuar nga disa burime si Marca, COPE dhe The Athletic, ndërsa njoftimi zyrtar pritet të vijë shumë shpejt.

Real Madridi do duhet t’i paguajë Benficës rreth 3 milionë euro për ta prishur kontratën e Mourinhos me klubin portugez. Portugezi e ka drejtuar më parë Realin në periudhën 2010-2013, ku fitoi La Liga, por nuk arriti ta fitojë Champions League.

Presidenti i klubit, Florentino Perez, duket se po rikthehet te formulat që kanë funksionuar në të kaluarën. Pas rikthimit të Zidane dhe më pas të Carlo Ancelottit, tani radha i takon sërish Mourinhos. Emri i francezit Zidane u diskutua edhe këtë herë, por angazhimi i tij me kombëtaren franceze pas Kupës së Botës 2026 e bëri të pamundur rikthimin.Kontaktet mes Realit dhe Mourinhos kanë nisur prej javësh.

Fillimisht, ideja u propozua nga agjenti Jorge Mendes në fund të muajit mars, por u refuzua nga drejtuesit madrilenë.Situata sportive dhe tensionet në dhomat e zhveshjes së Realit ndryshuan gjithçka. Rezultatet negative, atmosfera e rënduar dhe problemet e brendshme e bindën Florentino Perez se Mourinho ishte alternativa më e mirë për të rikthyer disiplinën dhe stabilitetin në skuadër.