VATIKAN, 22 shkurt 2013 – Një raport shpërthyes në Vatikan ka lidhur potencialisht dorëhe-qjen e Papa Benediktit XVI me zbulimin e një rrjeti klerikësh gej në Vatikan, disa prej të cilëve po u bëhej shantazh. Raporti u publikua në të përditshmen “La Repubblica”, por zëdhënësi i Vatikanit, Federiko Lombardi, ka refuzuar të komentojë mbi të.
“Mos prisni komente, përgënjeshtrime apo konfirmime për atë që thuhet mbi këtë temë”, tha Lombardi në “La Repubblica” në lidhje me raportin e kardinalëve Julian Herranz, Salvatore de Giorgi dhe Josef Tomko, të cilët ia kanë dorëzuar muajt e kaluar Papës mbi një hetim të rezervuar për rrjedhjen e dokumenteve të selisë së shenjtë. “Komisioni ka bërë punën e vet, ka dorëzuar raportin në duart e Atit të Shenjtë. Të mos vrapojmë pas fantazive apo opinioneve që shprehen mbi këtë temë dhe mos prisni as që tre kardinalët t’ju japin intervista sepse kanë rënë dakord me linjën e mosdhënies së informacioneve mbi këtë temë”, shtoi Lombardi.
Sipas “La Repubblica”, vendimi i Papës se duhej të dorëhiqej ishte marrë më 17 dhjetor, dita që ai mori një dosje të punuar nga tre kardinalë që po hetonin mbi të ashtuquajturën “Vatileaks”, rrjedhjen e sekreteve të Vatikanit. Shërbëtori besnik i Papës, Paolo Gabriele, u arrestua dhe u akuzua se kishte vjedhur dhe bërë publike korrespondencën papale që e përshkruante Vatikanin si “shtrati i nxehtë i intrigave dhe konflikteve”. Dosja me hetimin e “Vatileaks” kishte dy volume me nga 300 faqe, të lidhura me të kuqe dhe është dorëzuar nën rrethana të sigurta në apartamentet e Papës dhe do t’i dorëzohet vetëm pasuesit të tij pas zgjedhjes.
Sipas së përditshmes italiane, kardinalët në raport kanë përshkruar një sërë fraksionesh brenda Vatikanit, përfshirë edhe atë, anëtarët e të cilit ishin “të bashkuar nga orientimi seksual”. Sipas citimit të raportit, “La Repubblica” shkruan se zyrtarë të Vatikanit janë bërë subjekt i “ndikimit nga jashtë” të disa laikëve me të cilët ata kishin lidhje të një “natyre materialiste”. Sipas gazetës, kjo i referohet shantazhit. Aty citohet një burim “shumë i afërt me ata që kanë shkruar raportin” të thotë: “Çdo gjë rrotullohet rreth mosrespektimit të urdhrit të gjashtë dhe të shtatë”. I shtati ka të bëjë me vjedhjen. Ndërsa i gjashti ndalon tradhtinë bashkëshortore, por ka lidhje me doktrinën katolike për ndalimin e akteve homoseksuale.
Vendtakimet dhe precedentët
Sipas “La Repubblica”, raporti i kardinalëve ka identifikuar një sërë vendtakimesh brenda dhe rreth Romës. Ato përfshinin një vilë jashtë kryeqytetit italian, një sauna në një periferi të Romës, një sallon bukurie në qendër dhe godinën e një ish-universiteti që po përdorej nga një Arqipeshkop provincial italian. Raporti i përmendur në “La Repubblica” është i fundit i deklarimeve për ekzistencën e një rrjeti homoseksualësh brenda Vatikanit.
Në vitin 2007, një zyrtar i lartë u pezullua nga kongregacioni,pasi ishte filmuar në një “kurth” të organizuar nga një program italian, ku kërkonte seks me një burrë të ri. Në vitin 2010, një këngëtar i korit u shkarkua nën akuzën se siguronte prostituta meshkuj për “zotërinj në pritje” papalë. Disa muaj më pas, disa gazeta përdorën kamera të fshehta për të regjistruar priftërinjtë të vizitonin klube homoseksualësh dhe të bënin seks.





