KORCE- Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Korçës dje u zhvillua seanca gjyqësore e radhës për skandalin e zhdukjes së 61 pikturave nga Galeria "Guri Madhi" e këtij qyteti. Në këtë seancë, dëshmuan tre anëtarët e Komisionit të Inventarizimit të Pikturave në Galerinë e Arteve "Guri Madhi", të cilët ishin thirrur nga prokurori i çështjes, Esjon Sadikaj. Mësohet se anëtarët e komisionit në fjalë janë përzgjedhur nga drejtori i qendrës kulturore "Vangjush Mio", dhe pikërisht nga Vladimir Topi, i cili është nën akuzë për "Shpërdorim të detyrës" për skandalin e pikturave. Tre dëshmitarët kryesorë të akuzës, Mimoza Balli, shefe e llogarisë së qendrës kulturore; Vaskë Niço, magazinier i Galerisë; si dhe Kristi Ktona, përgjegjësi i ri i Galerisë, dëshmuan në lidhje me procesin e inventarizimit dhe procedurat e ndjekura gjatë inventarëve të bëra ndër vite, në lidhje me punimet që ruheshin në Galerinë e Arteve. 

DESHMITE 

Gjatë procesit gjyqësor, Balli, Niço dhe Ktona deklaruan se punimet janë ruajtur në kushte të mjeru-eshme brenda Galerisë "Guri Madhi" në Korçë. Ndërkohë që, tre anëtarët e Komisionit të Inventarizimit të Pikturave pranuan se nuk kanë pasur njohuri të posaçme për njohjen e pikturave të autorëve dhe specifikat e tyre në art, dhe se inventarin e punimeve e kanë bërë duke i ballafaquar pikturat e fondit me kartelat korresponduese. Gjithashtu, ata u shprehën se fondi i galerisë ka qenë rrëmujë dhe i pasistemuar, ndërsa ka pasur kundërthënie në lidhje me kohëzgjatjen e inventarit të pikturave. Sipas kryetares së Komisionit të Inventarizimit të veprave të artit, Mimoza Balli, i pandehuri Sotiraq Xega (ish-përgjegjësi i Galerisë së Arteve) nuk ka pranuar të dorëzojë çelësat e fondit. "Xega do dilte në pension, ndaj u vendos që të bëhej një inventar dhe dorëzimi i fondit në të njëjtën kohë tek përgjegjësi i ri, por ai nuk pranoi të dorëzonte çelësat. Në fakt, duhet thënë se fondi i galerisë ishte rrëmujë dhe i pasistemuar. Veprat ruheshin në kushte të mjerueshme", – tha Balli. Ajo pohoi se gjatë inventarit u konstatuan se mungonin 27 piktura të Mios dhe 34 të piktorëve të tjerë. "Në fakt ne nuk kemi pasur njohuri të posaçme për veprat e autorëve dhe inventari ka qenë thjesht fizik, duke ballafaquar pikturat e fondit me kartelat korresponduese. Ka qenë pak e vështirë, pasi jo për të gjitha punimet kishin kartela. Në lidhje me hapjen e galerisë, në mungesë të Xegës është bërë vetëm një herë, kur ai ka qenë në Greqi, dhe ka pasur komision. Galeria nuk është vjedhur asnjëherë. Xega nuk ka pasur kurrë pretendime në lidhje me inventarin e veprave të artit. Inventari nuk është rakorduar me gjendjen e inventarit të Qendrës Kombëtare të Kulturës. Koha e inventarizimit ka zgjatur 2 javë", – sqaroi Mimoza Balli. Thuajse në të njëjtën linjë ka qenë edhe komisioneri tjetër, i cili aktualisht ushtron detyrën e magazinierit në Qendrën Kulturore "Vangjush Mio", në varësi të së cilës është edhe Galeria e Arteve. "Fondi i pikturave ishte rrëmujë dhe veprat ruheshin në kushte të vështira. Gjatë inventarit, i cili zgjati vetëm dy orë, kemi konstatuar mungesë të veprave të artit, por thjesht si numër, pasi nuk njohim autorët dhe specifikat e tyre", – pohoi Vaskë Niço. Edhe Kristi Ktona, përgjegjësi aktual, ka pranuar situatën e vështirë ku ruheshin veprat, ndërsa tha se inventarizimi ka zgjatur 2 muaj. 

REAGIMI I GJYQTARIT 

Kundërthëniet e tre anëtarëve të Komisionit të Inventarizimit të Pikturave në lidhje me kohëzgjatjen e inventarit ka sjellë edhe reagimin e gjyqtarit të çështjes. Selajdin Pysqyli është shprehur se në procesverbalin e firmosur prej tyre, inventari ka përfunduar brenda 1 dite. Seanca u shty për në datën 7 janar, ku do të dëshmojnë personat e thirrur nga mbrojtja, çka pritet të sjellë edhe dëshminë e kreut të Bashkisë, Niko Peleshi. Në seancën e djeshme ishin të pranishëm dy të akuzuarit, Vladimir Topi, kreu i Qendrës Kulturore "Vangjush Mio" dhe Sotiraq Xega, ish-përgjegjësi i Galerisë së Arteve. Ky i fundit, pavarësisht nga dëshmitë e punonjësve të Qendrës Kulturore, nuk ka pranuar se ka pasur ndonjëherë inventar.