Në Beograd është zhvilluar sot më 5 shtator ceremonia përkujtimore për ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiç, i cili vdiq në Hagë ndërsa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krime të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ceremonia u mbajt në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë, ndërsa pjesëmarrja e ministrit aktual të Drejtësisë së Serbisë, Nenad Vujiç, në fillim të aktivitetit ka shkaktuar reagime dhe polemika.
Ratko Mlladiç u shpall përfundimisht fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, përfshirë rolin e tij në rrethimin e Sarajevës. Më 8 qershor 2021, mekanizmi që pasoi Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj tij.
Në ceremoninë e zhvilluar në Beograd morën pjesë familjarë të Mlladiçit, ish-pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Srpska, veteranë, invalidë lufte, politikanë dhe qytetarë që shprehin mbështetje për të. Disa prej tyre mbanin veshje të zeza, ndërsa të tjerë kishin veshur bluza me portretin e Mlladiçit dhe mbishkrimin “hero”. Përpara hyrjes së Shtëpisë së Ushtrisë së Serbisë u krijuan radhë të gjata, ndërsa dhjetëra persona prisnin për të hyrë në sallë.
Pranë ndërtesës, në parkun përballë, u panë edhe persona me uniforma ushtarake. Një grup pjesëmarrësish ishte sjellë me autobus nga Bosnja dhe Hercegovina. Shumë prej mbështetësve të Mlladiçit refuzuan të flisnin për gazetarët që ndodheshin në vendngjarje.
Në fillim të ceremonisë foli gjeneral-koloneli në pension Branko Krga, i cili kishte qenë komandant brigade në periudhën kur Mlladiç ishte në krye të forcave serbe të Bosnjës. Në aktivitet ishte i pranishëm edhe Radan Ostojiç, ministër i Punës dhe Mbrojtjes së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës në Republikën Srpska.
Prania e ministrit serb të Drejtësisë në një ceremoni përkujtimore për një person të dënuar për gjenocid ka nxitur kritika, veçanërisht për shkak të peshës së krimeve për të cilat Mlladiç u shpall fajtor nga drejtësia ndërkombëtare. Gjenocidi i Srebrenicës, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, mbetet një nga krimet më të rënda të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Mlladiçi ishte një nga të arratisurit më të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare. Pas ngritjes së aktakuzës së parë ndaj tij nga Tribunali i Hagës më 25 korrik 1995, ai qëndroi në arrati për afro 16 vjet. Për një periudhë u fsheh në objekte ushtarake, ndërsa më vonë qëndroi në rrethin familjar dhe përdori identitet të rremë.
Ai u arrestua më 26 maj 2011 në fshatin Lazarevë, pranë Zrenjaninit, në një objekt ndihmës në pronën e një të afërmi. Mlladiçi përdorte emrin e rremë Milorad Komadiç, por, sipas autoriteteve, menjëherë pas ndalimit i tregoi policit identitetin e tij të vërtetë. Ai u ekstradua në Hagë më 31 maj 2011.
Procesi gjyqësor ndaj tij nisi më 16 maj 2012 dhe përfundoi më 15 dhjetor 2016. Pas shqyrtimit të çështjes në apel, më 8 qershor 2021 u konfirmua dënimi i përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krimet kundër njerëzimit dhe shkeljet e ligjeve dhe zakoneve të luftës, përfshirë terrorizimin e popullsisë civile gjatë rrethimit të Sarajevës.
Mlladiçi vdiq në Hagë ndërsa ishte duke vuajtur dënimin e përjetshëm. Ceremonia në Beograd, ku morën pjesë zyrtarë dhe persona që e konsiderojnë atë “hero”, rikthen në vëmendje debatin e vazhdueshëm në Serbi dhe rajon mbi mënyrën sesi trajtohet trashëgimia e luftërave të viteve ’90 dhe përgjegjësia për krimet e kryera gjatë konfliktit në Bosnje dhe Hercegovinë.





