Qeveria Rama prej kohësh po diskuton mundësinë e rishikimit të skemës së pensioneve. Sipas ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, konsultimet po zhvillohen me Bankën Botërore, ndërsa në muajin shtator pritet të prezantohen ndryshimet përkatëse.

Reforma e pensioneve ende nuk ka marrë një formë përfundimtare. Për ministren Delina Ibrahimaj, të gjitha diskutimet dhe rekomandimet që po jep Banka Botërore do të bëhen publike në muajin shtator, për t’i hapur më pas rrugë procesit të miratimit.

Në konferencën me gazetarët, ministrja u ndal edhe te indeksimi i pensioneve, i cili këtë vit u krye më herët se zakonisht, pa pritur muajin shtator.

Në Shqipëri përfitojnë pension rreth 750 mijë të moshuar, por shumat që ata marrin vijojnë të konsiderohen të ulëta dhe, sipas vlerësimeve, nuk mbulojnë kostot e jetesës dhe shpenzimet e përditshme.