Kanë mbetur edhe pesë javë nga përfundimi i sezonit të rregullt në kampionatin “Abissnet Superiore” ku të gjitha skuadrat po luftojnë për objektivat sezonal. Megjithatë spektakli i vërtetë i këtij edicioni do të nisë pas përfundimit të javës së 36-të.

Ndryshe nga sezonet e kaluara, këtë edicion në Superiore do të aplikohet një formulë e re, “Final Four”. Pas përfundimit të 36-të javëve, katër skuadrat më të mira të sezonit do të përballen me njëra-tjetrën për të shpallur ekipin kampion të këtij sezoni.

Çdo gjë do të nisë me hedhjen e shortit që do të organizohet nga FSHF, menjëherë sapo të përfundojë java e 36-të e kampionatit. Skuadrat do të ndahen në dy vazo, ku në vazon 1 do të vendosen (vendi i parë dhe i dytë), ndërsa në vazon 2 (vendi i tretë dhe i katërt) dhe përmes shortit përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste.

Në finale kalojnë ekipet fituese dhe ajo që duhet saktësuar është që skema “Final 4” favorizon skuadrat e renditura më mirë në klasifikim në dy ndeshjet gjysmëfinale, pasi vendi i parë dhe i dytë mund të sigurojë finalen edhe falë barazimit, ndërsa ekipet që do të eliminohen nga faza gjysmëfinale do të luftojnë për vendin e tretë.

Skema e re e kampionatit ka nxitur akoma edhe më shumë konkurencën dhe të gjitha skuadrat po luftojnë për objektivat e tyre. 

Kjo skemë ka si synim për të afruar më shumë spektatorë në shkallët e stadiumit, për të promovuar sa më shumë kampionatin shqiptar dhe për t’u dhuruar tifozëve ndeshje me më shumë nivel në fundin e kampionatit.

Përveç 100 milionë lekëve të vjetër që merrte ekipi kampion, tani do të shtohen edhe 100 milionë lekë të tjera shtesë. Kështu kampionët marrin 200 milionë lekë të vjetër, vendi i dytë në kampionat do të marrë 70 milionë lekë të vjetër, skuadra që renditen në vendin e 3-të do të marrë 50 milionë lekë të vjetër, ndërsa vendi i katër do të shpërblehet me 20 milionë lekë të vjetër.

Ndërkohë nga ana tjerër nuk ndryhson shuma që do të marrë skuadra që do të fitojë Kupën e Shqipërisë, sërish 50 milonë lekë të vjetër.

Të gjitha takimet e “Final Four” do të luhen në stadiumin “Air Albania”. Biletat për ndeshjet e “Final Four” mund të blihen online në  ebileta.al  por edhe në pikat fizike pranë stadiumit “Air Albania” dhe stadiumit “Selman Stermasi” në fashën orare 10:00-18:00. Biletat me çmim promocional do të shiten vetëm në dy pikat fizike.