13 nëntor 2015 – Sekuestrohet sërish drogë në portin e Durrësit. Vetëm një ditë pasi u zbuluan 10 kg kanabis, sasi e cila do të trafikohej drejt Italisë, një tjetër rast i trafikimit të lëndëve narkotike është goditur nga blutë e Durrësit.

Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar në flagrancë Besnik Goxho, 49 vjeç, banues në Gjirokastër, i cili është kapur me 130 kg kanabis sativa, të cilën e kishte fshehur në një pjesë të trajlerit (shih fotot).

“Më datë 12.11.2015, në vendin e quajtur vija e dytë në P.K.K. Porti Durrës, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij tip kamion me targa AA 525 CV dhe trajler me targa ACR 185, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 109 pakosh me lëndë narkotike e llojit kanabis sativa me peshë 130 kg bashkë me ambalazhin”, njofton policia.

Arrestimi i Goxhos u bë i mundur pas disa informacioneve të marra në rrugë operative nga Sektori për Narkotikët në bashkëpunim me Policinë Kufitare Durrës.

Materialet e këtij rasti do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë.

/S.L. portali DurresLajm/