Ilir Bala, një prej të rinjve me aftësi të kufizuara në qytetin e Durrësit, ka promovuar librin e tij të parë “Banëm Zot kal”, një libër me poezi e thënie, që ashtu siç thotë dhe vetë autori, gjithësecili mund të gjejë veten e tij brenda rreshtave.

“Është jeta ime, emocionet që kam përjetuar, problemet dhe pengesat që kam hasur në jetë. Gjithashtu nuk mungojnë edhe çastet e gëzuara”, shprehet për “DurrësLajm” Ilir Bala.

Teksa është munduar që në këtë libër të gjithë të gjejnë sadopak veten e tyre, Bala ka marrë dhe feedback-un pozitiv që priste, nga të gjithë ata që e kanë shfletuar dhe lexuar librin e tij të parë, duke iu shkaktuar emocione të forta. Një shtysë e fortë kjo, që e inspiron Balën ta vazhdojë traditën e të shkruarit të librave të tjerë.

Sakaq, menaxherja e projektit “Për fuqizimin social-ekonomik të të rinjve me aftësi të kufizuara”, Elona Memetaj, nga organizata “CoDe Albania” (Coherent Development Albania), tregon si ka lindur natyrshëm iniciimi i këtyre nismave kulturore.

Në një takim të aktivitetit “Klubi i librit”, aty ku dhe u bë prezantimi i “Banëm Zot kal”, Memetaj thotë se qëllimi është promovimi i kapaciteteve të artistëve me aftësi të kufizuara dhe promovimit të vlerave të tyre për t’i bërë ata të ndjehen më të sigurt dhe më të pranuar në shoqëri, dhe protagonistë të jetës sociale.

S.L.