Memorie

Gjashtëshja historike dhe e magjishme e sporteve

Nostalgjia vjen e fuqishme nga të mirët e sportit durrsak

Të mburremi e të bërtasim me të madhe për ta

-Një foto e rrallë, e denjë për ta kujtuar dhe vlerësuar

-Jam i dehur me mallin, për ti parë me sytë e mendjes

– Kalorësit tanë të sporteve, mbeten kurdoherë të gjallë

-Mbeten historia dhe tradita e jonë e pa cënuar

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Një nga perlat e fotografisë sportive të Durrësit. Është një foto, që flas vazhdimisht me të. Më flasin dhe i flas. I dëgjoj dhe më dëgjojnë. Sa komod jam ndjerë në miqësinë dhe shoqërinë e tyre! Më i vogli. Më i riu. I vlerësuar dhe i çmuar njëlloj nga ata. Nuk bënin dallim. Kultura është kulturë dhe edukatë njërëzore dhe sportive, mbetet gjithnjë e tilllë.

E kam pohuar, madje me zë të lartë, nëse më ndjehet apo më atribuohet një ndihmesë sado modeste, në mbështetje të historisë së sportit të mrekullueshëm durrsak, meritë të padiskutueshme kanë këta heronj të pa cënuar, të topit të koshit dhe rrjetës së volejbollit. Ashtu si përkundej topi në duart e tyre, ato të përkundin dhe të joshnin me kulturën e gjërë, me artin, oh çfarë arti të të folurit, me humorin aq të bukur (ku ta gjej më), me ato shakatë e tyre aq të gjetura dhe që nuk fyhej aq më pak të tallej ndonjëri. Isha vërtet në ëndërr. Një shoqëri për tu pirë në kupë. Një shoqëri që i bashkonte tërë kohën, në sport dhe jashtë tij, deri në familje. Oh çfarë familjesh!

Këta burra me mjekër të sportit, kishin për bashkëshorte kryezonja, njëra më e mirë se tjetra. Respekti dhe vlerësimi për çdo njërin prej tyre, mund të kalojë njëmijë herë ekzaltimin e penës time. Nuk humbisnin qoftë edhe një minutë të vetme, pa qendruar njëri me tjetrin. Jo më kot Durrësi në lojrat me dorë, ishte mbreti i Shqipërisë në nivel dhe konkurencë, pasi mbret përmbi mbretër ishin këta zotërinj, këta fisnikë dhe mburrje e shoqërisë të vendlindjes time.

Jam i dehur me nostalgjinë për ta. Më mungojnë shumë. Na mungojnë shumë. Dhe kur shkruaj për ta, kompesoj me sa të mundem mungesën e tyre dhe jam i bindur dhe besoj për këtë, se vazhdoj të flas, me zë e pa zë, me mëndje deri në përfytyrimin e plotë të kohës së tyre. Magjia dhe arti i tyre, më kanë ekzaltuar dhe ky zanat nëse të paktën, në një qelizë të tij kullon art, është arti i tyre, është vlera e tyre, është mrekullia e tyre dhe bukuria e një ëndërre që vazhdon.

Vështroj foton. Nuk ia ndaj sytë asnjërit. Nuk jam i sigurtë plotësisht për saktësinë e saj. Por nuk është më shumë se qershori i vitit 1980, plot 40 vite të shkuara. Është 55 vjetori i lindjes së Dhimitraq Gogës, këtij zotnie të përsosur të qytetarisë durrsake, që na ka dhënë të drejtën e një tradite të avancuar çivilizuese. Të mburremi me ta! Të bërtasim me të madhe për ta! Pasi kemi të drejtë. Mos jetesa me ne të gjallët, nuk ua zbeh karatin e vlerave. Përkundrazi ua shton, pasi na merr malli shumë, pasi i kemi dashur shumë, pasi na kanë dashur edhe ata shumë, shumë.

Frymëzimi për ta nuk më ndalet, e pena mi rrëmben me shpejtësi mendimet dhe lyhet me bukurinë e shpirtit dhe vlerave të tyre. Cilët janë? Të mëdhenjtë tanë. Ato që bënë historinë e mburrjes së sportit durrsak. Janë ata që punuan për ne. Janë ato që na ngritën kryet dhe na shtojnë konkurencën e mburrjes. Janë pjesë e historisë tonë dhe ne dehemi me kënaqësinë që na dhanë, duke mbushur atë park sportiv të drunjtë, por shumë të shtrenjtë, në floririn e djersës së tyre të pafund.

DHIMITRAQ GOGA. SPIRO URUMI. RAMAZAN NJALA. KRENAR GOLASHI. NAUN LLAZO. ALEKSDANDËR GOREA. Kjo është gjashtëshja e fotos. Njihen me lehtësi, mado mëndja edhe nga të rinjtë. Pasi janë histori dhe arkivë e gjallë. Është muzeu ynë më i ndritur dhe i destinuar të mos prishet kurrë, paçka se nuk e kemi të ngritur një të tillë. Pasi memoria e një Durrësi të tërë, që i brohoriti, që u gëzua dhe u entuziasmua me ta, që i ngriti peshë mbi krahët dhe kokat e tyre, për atë që ato u dhanë.

Këta gjashtë emra, janë kampionët e basketbollit të Durrësit tëvitit 1955 dhe kampionët e volejbollit të Lokomotivës të vitit 1963. Ka edhe të tjerë. Por tani kemi përpara këta heronj, që i dhanë lavdinë e traditës dhe kryelartësinë e një kryezonjë të sporteve.

Dhe tani ta ndahemi përkohësisht me ta, për ti kujtuar në një rast tjetër, pasi jemi betuar se nuk do ti harrojmë. Shoqëria dhe miqësia e tyre, vlerat e tyre që i materializuan në vlerat e qytetit tonë, simfonia e lojrave të tyre krijuan atë orkestër gjigande, që u dirigjua nga entuziazmi i një populli të tërë.

Puna e juaj, mos harresa e jonë. Dhe jam i sigurtë, se këtë do ta mbajmë dhe do ta mbrojmë jo vetëm brezi im, por edhe pasardhësit tanë. Humori i juaj në këtë foto, është një balsam për ditët tona gri. Një arsyje tjetër t’ju kujtojmë.

Mos-harresa është dhe mbetet detyrim. Veçanërisht kjo gjashtëshe do të mbetet e tillë.

Durrës: 21 janar 2020

Nga e djathta: Krenar Golashi, Dhimitraq Goga, Ramazan Njala, Naun Llazo, Spiro Urumi dhe Aleksandër Gorea. Qershor 1980.