Kejsi Prizrendi e humbi betejën më të rëndësishme të jetës së saj në spitalin e Padovas, aty ku kurohej prej datës 10 shtator…

Zemra e vogëlushes pushoi së rrahuri rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, ndërsa kishte dhënë maksimumin mjekësia italiane ta mbante në jetë. Nuk mjaftuan lutjet e familjarëve të saj, as të shokëve e shoqeve të shkollës, të mijëra nxënësve që u solidariazuan për t’i ardhur në ndihmë, e të mijëra qytetarëve durrsakë anembanë vendit, e atyre jashtë trojeve shqiptare, të cilët jo vetëm e ndihmuan familjen e saj në këto ditë të vështira, por edhe u lutën për shëndetin e vogëlushes.

Lajmin e bëri publik mëngjesin e sotëm Arian Plaku në faqen e tij në “Facebook”, mësuesi i baletit, i afërmi i vogëlushes, iniciatoi i fushatës së ndihmave vullnetare për familjen e Kejsit.

Nuk mjaftuan miliona lekë kontribute vullnetare të qytetarëve shqiptarë, për ta mbajtur në jetë vogëlushen e cila mori infeksion në gjak, ndërsa kurohej në pediatrinë e Tiranës për bajamet e infektuara.

Kejsi Prizrendi, 9-vjeçarja e cila dashuronte baletin, në fillim të muajit shtator u sëmur nga bajamet. Ndërsa kurohej nga një virus vdekjeprurës që i hyri në gjak, gjendja e saj shëndetësore u rëndua shumë. Mjekët dhe familja e saj luftuan së bashku me vogëlushen për ta mbajtur në jetë, e për ta zgjuar nga koma ku kishte rënë prej ditësh.

Mësuesja e saj e klasës së parë, e konsideronte “rrufenë” e klasës, për të cilën i dridhet zemra e shpirti në një ditë të tillë. Edhe mësuesi i baletit të vogëlushes ka mbetur zemërthyer pas ikjes së saj.

Një yll i vogël u shua! Bota nuk është më aq e mirë pa buzëqeshjen e saj! Kur një yll shuhet, të gjithë duhet të heshtim!

K.H.