Prania e qenve të rrugës në ambiente publike në Durrës shoqërohet nga reagime të ndryshme nga qytetarët. Kështu ndodhi edhe rreth një javë më parë, kur DurrësLajm publikoi ankesën e një banoreje të zonës së Shkozetit, e cila pretendonte se ajo dhe babai i saj ishin kafshuar nga qentë. Reagimet dhe komentet në rrjete sociale ishin thuajse të ndara me thikë; nga një anë kafshëdashësit që i merrnin nën mbrojtje qentë (këta të fundit nuk kanë faj pse janë braktisur nga të zotët, apo kanë lindur në rrugë) dhe nga ana tjetër ata që e shohin praninë e qenve të rrugës me frikë dhe shqetësim, shpesh edhe prej numrit të shtuar të tyre.

Çfarë duhet bërë me qentë e rrugës? Si duhet të sillemi që të shmangim agresivitetin e tyre? Si mund të kontribuojmë të gjithë së bashku për të evituar në të ardhmen problematikat që krijohen nga braktisja e qenve nga të zotët? Për këto pyetje dhe të tjera si këto, DurrësLajm kontaktoi me Jenny Muller Hasanaj, e cila drejton organizatën “JETA, Tier und Mensch” (Jeta, kafshët dhe njerëzit). Prej vitesh kjo organizatë, me fondet e saj, përkujdeset për qentë e rrugës, ndërkohë që nga bashkia e Durrësit i është vënë në dispozicion vetëm një ambient në Shkozet, ku kanë ngritur një strehëz, ku qëndrojnë për disa ditë qentë e rrugës, pasi i nënshtrohen sterilizimit dhe vaksinimit.

Për Jenny-n problematikat e qenve të rrugës janë të shumta, por, sipas saj, fajtorët kryesorë janë vetë njerëzit.

“Nëse këtu në Shqipëri, secili qen do të ishte i regjistruar dhe pronarët do të gjobiteshin në rastet kur i braktisin, ju siguroj që numri i qenve të rrugës do të minimizohej. Pas tërmetit të 26 nëntorit, organizata jonë ka vënë re një shtim të numrit të tyre. Disa kafshë janë braktisur nga të zotët, ndërsa shumë të tjerë sillen në Durrës nga qytete të tjera. Mund të jenë rreth 4000 qen rruge dhe është e pamundur t’i sterilizosh e vaksinosh të gjithë” – thotë ajo.

Në dy vitet e fundit, rreth 300 qen rruge janë matrikulluar nga kjo organizatë. Të gjitha shpenzimet e operacionit, vaksinave, ushqimit të kafshëve etj janë përballuar nga organizata “JETA, Tier und Mensch”, donacione private dhe vullnetarë të organizatës.

E shqetësuar për fatin e këtyre kafshëve që shpeshherë aksidentohen rrugëve apo plagosen nga qen të tjerë që nuk i lënë të futen në territorin e tyre, Jenny kërkon nga të gjithë, struktura shtetërore apo dashamirës të kafshëve, që të japin kontributin e tyre për të garantuar një sistemim afatgjatë për këto kafshë.

Shpeshherë organizata që ajo drejton ka realizuar edhe adoptime të qenushëve, por ky numër është shumë i vogël në krahasim me numrin real të qenve pa zotër që janë në territorin e bashkisë Durrës.

Prej disa vitesh, organizata në fjalë ka një kontratë me bashkinë e Durrësit, por sipas Jenny-t shumë pak është bërë nga pushteti lokal. Ambientet që u janë vënë në dispozicion janë në kushte shumë të vështira, pa ujë e energji, shpesh përmbyteshin nga shirat apo rrethoheshin nga balta, siç duket në fotot që po publikojmë.

Gjendja e ambienteve më parë

Për këtë shkak, organizata “Jeta, kafshët dhe njerëzit”, si dhe vullnetarët kanë investuar rreth 300 mijë lekë për të sistemuar një pjesë të ambientit rreth e qark, për t’u garantuar kafshëve kushtet elementare. Në të njëjtën kohë, me donacione private është realizuar edhe rrethimi.

Gjendja aktuale e strehëzës pas investimit

Për Jenny-n, por dhe për shumë vullnetarë dhe aktivistë që punojnë me kafshët, qentë e rrugës nuk janë agresivë (përveç ndonjë rasti të veçantë) dhe nuk përbëjnë rrezik për përhapje infeksionesh të ndryshme. Drejtuesja e organizatës këmbëngul në domosdoshmërinë e miratimit të legjislacionit për regjistrimin e kafshëve, sepse vetëm në këtë formë do të mund të shkonte drejt elemimimit fenomeni i pranisë së qenve pa zotër në rrugë. Në të njëjtën kohë, ajo i bën apel kujtdo që të kontribuojnë duke dërguar qentë e pamatrikulluar në strehëz, ku do t’i nënshtrohen sterilizimit dhe vaksinimit nga veterinerët që punojnë aty.

M.B.