Në një kohë që tensioni elektoral sa vjen dhe shtohet, mbrëmjen e djeshme në Ora News u publikua sondazhi IPR edhe për qarkun e Durrësit, një sondazh që mund të flasë për çfarëdo përveç situatës reale në këtë qark.

Që në Durrës ka një garë të fortë kjo dihet, që shumë situata që nuk duken dhe nuk bëhen publike për këdo që jeton në Durrës dihen, por që në këtë garë dy kampet sulmuese do të jenë PS dhe LSI, pasi PD është në ditët e saj më të vështira në këtë qytet.

Sondazhi i realizuar nuk dihet ku është bazuar apo çfarë kampioni ka pasur, por ajo që ndjehet dhe dihet është që në Durrës gara është e fortë dhe ajo që flitet kudo është se pritet që LSI të jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve. Këtu ju referohemi zgjedhjeve të 2013, që LSI nuk ishte në numrat e saj më të mira në këtë qytet, për arsye dhe të emrit të PD që ende ishte në lojë, në situatën aktuale PD është një shpresë e humbur për vetë anëtarësinë e saj të tkurrur dhe jo më për qytetarët.

Pra, nuk mundet që PD, në situatën ku ndodhet, të ketë rritje përveçse rënie drastike të saj, në të paktën 2-3 mandate minus nga zgjedhjet e 4 viteve më parë. Në një kohë që të gjithë mbështetësit e të ndjerit, Sokol Olldashi, janë totalisht jashtë PD, duke përfshirë dhe mbështetësit e Igli Carës, i njohur për influencën dhe punën e madhe, që janë zhgënjyer thellësisht për mungesën e tij në lista.

Shumë qytetarë durrsakë demokratë sot ose po aderojnë e mbështesin tjetër kamp ose vazhdojnë jetën larg politikës, të zhgënjyer jo vetëm ndër vite, por dhe nga lista jopërfaqësuese e PD në Durrës me emra si Edi Paloka apo Florion Mima. PD e Durrësit vetëm 2 javë më parë nisi angazhimin e strukturave dhe nuk duket ende te ketë nisur një fushatë intensive, kur vetëm 2 javë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve. Vërtet vendi i 5-të në listë i është lënë aleatit Agron Duka por duket që as ai nuk është në ditët e tij më të mira dhe rrezikon vërtet fitimin e garës, pavarësisht aksesit të gjerë që ka pasur më parë e influencën e dikurshme në Bashkinë Shijak.

Nga krahu tjetër, kemi kampin socialist, i cili ka 4 vjet në pushtet por që askush se ka ndier pushtetin më shumë se Vangjush Dako, që ka 10 vite i ulur në karrigen e kryetarit të Bashkisë së qytetit. Në strukturimin dhe marrjen e vendimeve të brendshme PS ka pakënaqësi të dukshme. Votuesit e qytetit të Durrësit janë të ndjeshëm ndaj emrave të kandidaturave dhe duhet thënë që lista kryesohet nga emra që jo vetëm nuk jetojnë në Durrës, por as nuk janë durrsakë, por nuk jetojnë në qytetin e deputetëve dhe duhet thënë nuk kanë asnjë lidhje integrale me Durrësin. Me shumë gjasa dhe lista kryesuese e PS sot, ashtu si deputeti Beqaj, ish-Ministri i Shëndetësisë do të jenë të pranishëm në qytet deri në numërimin e kutisë së fundit dhe zor do të duken më në qytet apo do të ngrenë zërin nga foltorja e parlamentit.

LSI në këtë sondazh shënonte rritje, por duhet thënë referuar votave të marra në 2013. Plot 23 mijë vota i dha Vangjush Dakos, Lefter Koka,  për t’u rizgjedhur kryetar bashkie në vitin 2015 e duhet thënë se rezultati i Qarkut Durrës në zgjedhjet vendore 2015 ishte një surprizë e madhe për të gjithë! Me shumë gjasa, rritja e saj do të vazhdojë edhe në këto zgjedhje të ashpra për Qarkun Durrës! Duhet thënë se reputacioni i Lefter Kokës në Durrës është në kuotat më të larta dhe ajo që bie në sy është se lista e 14 kandidatëve, nuk shënon asnjë kandidat të importuar por janë të gjithë vendalinj, qytetarë e banorë të zonave ku garojnë! Specifike duket vetëm Nora Malaj po për këdo që e njeh di se ajo është rritur në Durrës deri në moshën 20-vjeçare dhe familja e saj jeton ende në Durrës.

Surprizë e çuditshme ishte LIBRA, një parti që renditej e 4-rta dhe në sondazh ishte me një përqindje shumë afër 1 mandati! Zor të gjesh në Durrës simpatizantë apo dhe anëtarësi apo ndjekës e idhtarë të Ben Blushit.

PDIU partia që mendohet të ketë një mbështetje në Durrës, për arsye të banorëve të shumtë me origjinë nga Çamëria në Bashkinë e Durrësit, për surprizë renditej pas LIBRËS.

Se çdo të ndodhë realisht në Durrës, se çdo të vendosë me votë qytetari, këtë me shumë gjasa do ta mësojmë vetëm 2-3 ditë pas 25 Qershorit! Ajo që dihet me siguri është që gara është më e fortë se kurrë dhe më e veçantë se asnjëherë më parë. 

M.P.