Presidentja në Detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shpallur të premten, më 24 prill 2026, ditë zie shtetërore në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja.

Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë për të shprehur respektin dhe mirënjohjen institucionale ndaj njërit prej personaliteteve më të shquara të kulturës dhe mendimit shqiptar.

“Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, shkruan Haxhiu.

Gjatë Ditës së zisë shtetërore, flamujt do të vendosen në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të Republikës së Kosovës.

Akademiku i shquar Rexhep Qosja vdiq dje në moshën 90-vjeçare. Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit është zhvilluar në praninë e rrethit të ngushtë familjar, ashtu siç e kishte lënë amanet i ndjeri.