Parlamenti i Kosovës do të mblidhet sot për të përfunduar seancën konstituive e cila filloi më 3 gusht, por nuk u përmbyll pasi deputetët dështuan të zgjedhin udhëheqjen e parlamentit, që është hapi i parë drejt ngritjes së institucioneve të reja.

Mbledhja e paralajmëruar për sot pasoi kërkesën e koalicionit të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe Aleancës Kosova e Re për vazhdimin e seancës.

Në kërkesën e këtij koalicioni drejtuar kryesuesit të parlamentit, Adem Mikullovci që është deputeti më i vjetër, thuhet se “është krijuar shumica parlamentare për konstituimin e parlamentit dhe institucioneve të tjera”.

Kërkesa e tyre pasoi negocimin gjatë gjithë ditës së mërkurë me përfaqësuesit e Listës serbe, të cilët ngulën këmbë që të kenë tre Ministri përfshirë edhe atë të bujqësisë, që fillimisht ishte ndarë për Aleancën Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli.

Të hënën ishte arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe Aleancën Kosova e Re.

Marrëveshja u kritikua nga lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat thanë se një qeveri e tillë nuk do të mund të ketë jetë të gjatë dhe se e njëjta do të jetë e varur nga Beogradi.