Industria e mishit të derrit në Spanjë, një nga më të mëdhatë në Evropë, po përballet me një krizë serioze pas shpërthimit të Murtaja Afrikane e Derrave ASF.

Kjo sëmundje, shumë ngjitëse dhe vdekjeprurëse për derrat nuk prek njerëzit, por ka pasoja ekonomike. Çdo derr i shitur ka humbur deri në 40 euro vlerë, duke shkaktuar humbje të mëdha financiare për fermerët.

Rasti i parë u zbulua në një derr të egër në një park pranë Barcelonës.  Autoritetet reaguan shpejt duke izoluar zonën dhe duke nisur kërkime intensive për raste të tjera. Megjithatë, përhapja e virusit lidhet kryesisht me numrin e madh të derrave të egër, të cilët janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit.

Për të kontrolluar situatën, autoritetet kanë ndërmarrë masa të forta, përfshirë eliminimin e mijëra kafshëve, përdorimin e dronëve dhe kamerave për monitorim, si dhe vendosjen e kufizimeve të lëvizjes.

Gjithashtu, janë zbatuar masa të rrepta sigurie biologjike për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.

Vende si Brazili, Japonia dhe SHBA kanë ndaluar importin e mishit të derrit nga Spanja, ndërsa të tjera kanë kufizuar importet vetëm nga zonat e prekura. Si rezultat, eksportet në Spanjë kanë rënë ndjeshëm dhe industria ka humbur mbi 600 milionë euro. Megjithatë, konsumi i brendshëm mbetet relativisht i qëndrueshëm.

Konsumatorët shprehen të sigurt për cilësinë e produkteve, falë kontrolleve të shtuara. Shitësit raportojnë se çmimet në tregun vendas nuk kanë pësuar ndryshime të mëdha.

Autoritetet spanjolle shpresojnë të ndjekin shembullin e vendeve si Belgjika, e cila arriti ta zhdukë sëmundjen brenda pak më shumë se një viti. Por ekspertët paralajmërojnë se sfida mbetet e madhe dhe kërkon masa të vazhdueshme dhe të koordinuara.