Fotoreportazh nga Shefqet Kërcelli* & Thoma Nika**
SARANDË-DURRËS, 8 MAJ 2015 – Portali “durreslajm.com” po i “bën” reklamë Sarandës, thjesht për të evidentuar faktin që, kur ka vullnet nga pushteti vendor, mund të krijohen mundësi jo vetëm për argëtim, por edhe për ndikim ekonomik (turizëm para sezonit). Nga ana tjetër, agjencia e lajmeve “Dyrrah” falënderon për bashkëpunimin dy autorët e fotoreportazhit. Fotot janë të ditës së 8 majit 2015.
TË MËSOSH NGA KORÇA DHE POGRADECI
Më 8 maj 2015, ka hapur siparin në qytetin e Sarandës festa më e re e qytetit, e quajtur Festa e Midhjes. Të pranishëm në këtë festë janë jo vetëm qytetarët sarandiotë, por dhe qytetarë nga gjithë vendi, diaspora dhe turistë, që nuk ndërpresin së shijuari bukuritë e këtij qyteti jugor.
Është viti i katërt që kjo festë grumbullon mijëra vetë në qytetin e dyzet shenjtorëve dhe ka fituar zemrat dhe shijet kulinarike që të jep midhja për dashamirësit e saj. Tashmë festa e Midhjes përfaqëson një festë tipike të Sarandës.
Si erdhi kjo festë? Qytetarët sarandiotë e shihnin si boshllëk, që qytetit të tyre piktoresk, bregdetar, me port, turizëm e peshkim të zhvilluar t’i mungonte një festë e vet, “made in Saranda”. Për këtë u mor dhe shembull nga Festa e Birrës në Korçë dhe ajo e Verës në Pogradec.
“MBRETËRESHË E LIQENIT” TË BUTRINTIT
Me midhjen Saranda është rritur si qytet, ka 60 vjet që kultivohet e konsumohet ky fryt deti, kur gjetkë as nuk njihej dhe as nuk hahej, edhe sikur t’ua falje. Argumentimin e zhvillimit të kësaj feste lokale e plotësoi dhe thënia e njohur në këto anë, që midhjen e etiketon si “Mbretëreshën e Liqenit” të Butrintit. Kjo feste i jep asaj dhe kurorën e Sarandës si mbretëreshë. Tashmë ka katër vjet, që Festa e Midhjes organizohet me këtë slogan: “Midhja, mbretëresha e Liqenit, mbretëreshë e Sarandës”.Thelbi i kësaj feste është që midhja të promovohet në qindra receta gatimi, të shijohet dhe të konsumohet në komunitet. Njëherësh kjo ka shërbyer që të promovojnë aktivitetin e tyre edhe biznesi vendas e ai i ftuar, nga brenda e jashtë vendit, si Korfuzi etj.
MBËSHTETJE NGA SHBA, NERANXI ETJ.
Kur themi midhja, ajo nuk konsumohet e vetme, por duhet të nënkuptojmë edhe promovimin e prodhimeve të verës apo të kompanive prodhuese të birrës, që janë vënë në mbështetje të Festës së midhjes. Një bashkëshoqëruese shumë natyrale, është pjesëmarrja në këtë festë e Shoqatës së Prodhuesve të Vajit të Ullirit, me mbështetjen e USAID-it dhe Ambasadës së SHBA. Është i dyti vit që jepet kjo mbështetje. Sivjet me një tjetër përmasë. Në këtë Festë të Midhjes pjesëmarrësit për herë të parë po shijojnë dhe akulloren me vaj ulliri të përgatitur nga një kompanitë më në zë të prodhimit të vajit të ullirit në Sarandë. Sigurisht që festa ka mjaft partnerë nga biznesi shqiptar, ku kompania e kulinarisë shqiptare “Neranxi”, zë vend kryesor në Panairin e Midhjes. Gjithashtu, në mbështetje të aktivitetit janë shkolla e Hotelerisë dhe institucionet në varësi të Bashkisë, si konvikti i shkollës së mesme profesionale, Qendra Polivalente, Shtëpia e Fëmijës etj, të cilët dalin në shëtitore me gatimet e tyre me shume fantazi.
RISI
Edicioni i sivjetshëm ka dhe disa risi. Festa po organizohet me një cilësi të re dhe një performancë shumë më të mirë. Në festë merr pjesë dhe Master Chefi i kulinarisë “Neranxi”, që po gatuan direkt për pjesëmarrësit. Është duke u zhvilluar një mikrokonkurs me nxënës, konceptuar si një garë se kush do të konsumojë më shpejt një sasi të caktuar midhjesh dhe për këtë juria përkatëse do shpallë fituesit. Fituesit do të marrin simbolikën e midhjes, sipas nivelit, të gdhendur në allçi apo të derdhur në bronz, me nënshkrimin e Bashkisë. Ndërkohë në këto dy ditë feste do japë shfaqje cirku “Fantastic Show”, shoqëruar me animacione të ndryshme në fytyrat e fëmijëve, ndërkohë këngëtarë të shquar shqiptarë dhe nga Greqia do japin koncert me repertorin e tyre. Festa do të zgjatë dy ditë e tri net, me tryeza panairi në shëtitore dhe degustime të midhjes dhe pijeve më të përdorshme për të shoqëruar gatimet e saj.
DREJT KOSOVËS E KROACISË
Pra, Saranda po përjeton tri ditë festimesh në komunitet, sipas një tradite tashmë 4-vjeçare. Organizatorët janë kujdesur që këtë festë ta kenë si një parathënie për Festën tjetër të çeljes zyrtare të sezonit veror dhe të gjithë bashkëqytetarëve, vizitorëve, turistëve e miqve të shumtë që janë pjesëmarrës e priten të vijnë i jepet kënaqësi dhe argëtim më 8 e 9 maj 2015.
“Festa e Midhjes është nga eventet më të rëndësishme të këtij qyteti, – thotë kryetari aktual i bashkisë, Stefan Çipa. – Është një nga kënaqësitë që i kam dhënë vetes në 4 vjet punë në drejtimin e Bashkisë së Sarandës, është një nga gjërat që më bën të ndjehem mirë sot, por edhe në të ardhmen, një gjetje dhe një vlerë që do të ketë vazhdimësi, pavarësisht kush do të jetë në krye të Bashkisë”.
Paskëtaj Festa e Midhjes do zhvendoset në kryeqytetin e Kosovës, me sloganin “Midhja – Mbretëresha e Sarandës, Princesha e Prishtinës”. Po kështu, ka plan bashkëpunimi me Bashkinë e Opatisë, në Kroaci, që të çohet dhe atje kjo festë me simbolikë të veçantë.
BLLOKIMI ABSURD 21-VJEÇAR
Edicioni i katërt i kësaj feste ka rëndësi të veçantë në fushën turistike, të kulinarisë, por dhe atë ekonomike. Ky edicion ka impakt në hapjen e tregut evropian për midhjen shqiptare, pasi eksporti qëndron i bllokuar që prej vitit 1994. Midhja shqiptare tërheq vëmendjen dhe interesimin e tregut të vendeve evropiane, por rruga drejt tij ka mbetur e mbyllur për 21 vjet. Nga analizat, midhja e Butrintit del e pastër nga sëmundjet dhe nga ngarkesat mikrobike, apo nga mbetjet e tjera toksike, por pritet reagimi i strukturave të BE për zhbllokimin dhe rinisjen e eksportit. Specialistët thonë se në rajonin e Sarandës nuk ka ndonjë lloj industrie kimike, që të ketë derdhje në det apo në liqen a në lumenjtë tanë, që të shkaktojë ndotje të prodhimit dhe se ujërat tona janë të pastra, ndaj sipas tyre, kjo embargo kaq e zgjatur është kthyer në një absurditet. Edhe vendi ynë laget nga deti Adriatik e Jon, sikurse Italia e Greqia!? Ato prodhojnë e eksportojnë midhje pa problem, nganjëherë duke mos e pasur prodhimin e midhjes kaq të shëndetshëm sa tonin, ndërkohë që ne vuajmë një lloj embargoje të heshtur.
PËR NJË DRITË TË GJELBËR NGA BRUKSELI
Llogaritet që, po të jepet OK nga BE-ja, mund të çohen 40-50 mijë kv midhje drejt tregjeve evropiane. Nga pamundësimi i eksportimit të midhjes, ekonomisë sonë i humbasin të paktën 40 milionë USD në vit. Kapaciteti prodhues është për 50 mijë kv, ndërsa aktualisht nxirret vetëm 12-15 mijë kv. Konsumi në vend është në nivele minimalë. BE-ja ka investuar 600 mijë euro për impiantin e përpunimit, duke ngritur impiantin e depurimit (pastrimit) të midhjes në vendin e quajtur Manastir, ndërkohë që nuk po bëhet asgjë për eksportin.
EPILOG
Ndaj festa e midhjes merr përmasa më të mëdha se kaq, ky aset me vlere kërkon mbështetjen e institucioneve përkatëse shtetërore që prodhuesit tanë të jenë të barabartë me ata fqinj dhe ekonomia jonë të fitojë shanset e humbura.
* Zëdhënës i Forcës Detare në Plepa, bashkëpunëtor i “Dyrrah”-ut.
** Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Sarandës.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





