Shkruan: BUJAR QESJA
DURRËS, 23 prill 2015 – Lutfi Zino! Kisha shkruar shumë për të, por kështu si tani, kurrë s’e kisha marrë nismën për të rrëmuar hollësisht në nyjat dhe kyçet kryesore të jetës së tij. Një jetë ashtu si vetë pedalimet e tij, me etapa malore zbritje-ngjitje, me segmente fushore e kështu deri në vitin e 65-të të lindjes, 20 prill 2015. Një temperament i pabesueshëm, me një jetë sportive tejet intriguese dhe në jo pak raste edhe sfiduese. Dhe 65-vjetori i lindjes, që erdhi ta kalojë pranë vëllait të dhembshur dhe të shtrenjtë Samiut, shokëve e miqve të panumërt anekënd vendit, i duket si një majë mali, prej së cilës vështron tërë harkun jetësor. Ka lënë në Bruklin gruan, Andonetën, me të cilën lidhi kurorë kur ishte 23 vjeç djalë, së bashku me dy fëmijët Fluturën dhe Altin, pasi Iliri i madhi, jeton prej më shumë se 20 vitesh në Liko Kamajore të Firencës. Ditët e qëndrimit në vendlindje i fluturuan më shpejt sa çe mendonte, duke vështruar disi me një pozicion prekës biletën e avionit për në Nju Jork, ku ishte shënuar data e kthimit 25 prill 2015. “Kisha mall për Durrësin, për tokën dhe nuk kam lënë njeri pa takuar.” Dhe qan si fëmijë, kur kujtonte takimet e panumërta të bëra me të gjithë të njohurit e tij, e veçanërisht me ata që e kishte lidhur rruga e vështirë por e bukur e pedalimit. “Takova me të gjithë miqtë dhe figura të njohura të sportit. Shkova në familjen e çiklistit të viteve 40-të dhe gjyqtarit të njohur 89-vjeçarit Ruzhdi Çerma, por edhe tek trajneri im i karrierës Bilal Agalliu. Ishte shumë i sëmurë. Eh Bilali, Bilali!” Dhe Zino shumë i ndjeshëm përlotej. I dilnin para syve pedalimet e panumërta të nisura nga viti 1967 e deri në 1981-shin. Dhe i famshmi Bilal Agalliu, kampioni mitik i çiklizmit shqiptar, e kishte drejtuar Zinon atje ku ulen kampionët. Dy rrethe çiklistike të
fituara në vitet 1971 dhe 1979, katër Rrethe çiklistike me kostumin e kampionit si ekip 1972, 1974, 1980 dhe 2003 dhe me dhjetëra e dhjetëra etapa të veçanta malore dhe me kronometër. Po kështu edhe Met Musta në Durrës kishte nxitur sukseset e tij. Memoria dhe kujtimet të ngulura si gozhdë thellë në to, bënin kërdinë në komunikimet me ne, aq sa edhe një ditë e vetme e garave nuk mbetej u prekur.
BABA ALIU DHE MAMAJA E PANJOHUR
Zino tregon se që në vogëli, i ati, Aliu, një burrë zotni dhe erudit, i mësonte fëmijët e tij me ndjenjën e punës. “Kemi pasur një copë tokë, – vë në lëvizje kujtimet bashkëbiseduesi ynë – dhe punonim fort ta bënim të prodhonte. Kjo bëri që të kem shtat dhe muskuj të fortë. Në shkollën tetëvjeçare “Bajram Curri” të Plazhit, dallohesha mbi të tjerët dhe Bido Ibrahimi, mësuesi im i paharruar, më nxiste të ushtroja sportet. Konkurrova në gjimnastikë, fitova kategorinë e dytë. Shkova edhe në mundje dhe Lokomotiva më mbante nga mundësit më të fortë, pasi fitoja ndeshje. Dhe në çiklizëm i pari, por duket se isha prerë për biçikletë. Nuk e ndaja edhe në Tiranë, teksa kur mësoja në shkollën profesionale të ndërtimit, shoku i klasës Gani Mullaj, kishte gjetur një biçikletë kursi. Kishte miqësi me Bilal Agalliun dhe ia kishte falur. Dhe nuk zbrisja nga magjia dyrrotakëshe tërë kohën kur isha jashtë mësimit. Mustafa Çelkupa, shefi i sportit të Durrësit, dha urdhër që Zino të kalonte në çiklizëm. Është shumë i zoti këtu. Dhe koha tregoi se ai nuk kishte gabuar”.
Kur biseda kaloi te nëna e tij, Zino heshti dhe me një të folur që mezi e dëgjova, belbëzoi: “Fjalën mama s’e kam thënë ndonjëherë, sepse vdiq e sëmurë sapo unë linda. Kështu që lidhja jonë ishte rreth baba Aliut dhe sidomos një vëllazëri e ndjeshme dhe e sinqertë edhe sot e kësaj dite, e kam me Samiun dy vite më i madh nga unë”. Prej Lushit (kështu njihet në publik), mësova se itë atit, Aliut, nuk i pëlqente të bëhej çiklist, sepse mezi e kishte rritur dhe, sipas tij, ky sport ishte shumë i vështirë dhe, pse jo, edhe i rrezikshëm. Por talenti i prerë i djaloshit, sukseset e menjëhershme sapo u ul mbi shalën e biçikletës, e detyruan Ali Zinon të ishte tifozi dhe mbështetësi numër një i të birit.
KUTIA QË NGRITI DYRROTAKEN
Siç do i ri, që mendjen e ka edhe tek aventurat e moshës edhe Luti nuk bënte veçim. Kujtesa e varur në memorien e tij, e ndihmonte të tregonte gjëra sikur kishin pak minuta që kishin ndodhur. I dashuruar dhe dhënë pas biçikletës deri në marrëzi, kampioni i ardhshëm i dy rrotakëve Lutfi Zino, kishte vrojtuar me kujdes se ku e linte i ati kutinë e kursimeve të shtëpisë. Ali Zino ishte një prind i kujdesshëm dhe për çdo hall që krijohej në familje, ai ui drejtohej kursimeve që i ruante në një kuti enkas për këtë gjë. Zino i ri e kishte peshkuar një gjë të tillë dhe hera herës gjente marifete për të marrë ca para dhe me to kishte filluar të sajonte biçikletën e ardhshme. Një herë blinte një fren, në rast tjetër pedalin, timonin karakteristik të pedalimit, koronën, trupin e kështu deri në formimin e plotë të biçikletës. Dhe mjeti prej dy rrotash, që e nxori Zinon fitues të garës ndërmjet
shkollave dhe qendrave të punës së Durrësit, ishte kryevepra e tij. Këtu janë fillimet edhe të novatorit, adaptuesit, pse jo edhe krijuesit të biçikletave për ekipin e Lokomotivës dhe Teutës, kampionit dhe protagonistit historik të çiklizmit Lutfi Zinos. Dhe zanafilla është, ajo kutia e vogël magjike, e kacidheve që ruante me aq kujdes dhe vëmendje Ali Zino. Dhe një ditë kur e pa të boshatisur arkën e vogël të kursimeve, thërriti të birin, pasi e kuptoi se diçka kishte ndodhur. Dhe Lutfi Zino nuk iu paraqit të atit i vetëm, por së bashku me “shoqen” e tij të jetës, biçikletën. Ky veprim i mençur i të birit e qetësoi Aliun. Djali ishte në rrugë të mbarë, paçka këtyre zarareve fëmijërore.
BIÇIKLETA LODËR NË DUART E TIJ
Lutfi Zino është një karakter i prerë për çiklizmin. Edhe kur je ulur dhe bashkëbisedon me të, lëviz në një mënyrë që të duket sikur po pedalon edhe pse është vendosur mbi karrige. As më ka rënë, por zor se do të më bie rasti të njoh e të flas me një çiklist me vetitë e Lutfi Zinos. Por biçikleta është në shpirtin e tij, është në gjakun dhe vetë gjaku i tij. Tërë kohën që kemi qëndruar së bashku këto ditë, dalloja tek ai cilësi të reja, të pavërejtura në takimet e konsumuara të mëparshme. Vjen një herë nga Plazhi ku jeton, me një biçikletë të paparë. Ishte veshur shumë hollë, me një palë tuta, ku gjoksi i tij ishte mbështjellë me vetëm një kanotiere. Dhe cilësojmë, që mbrëmjet e këtyre ditëve janë të ftohta, që përballohen vetëm me veshje dimri. Sapo ngritëm bisedën së bashku, lëvizte herë pas herë dhe argumentonte mendimin, duke prekur biçikletën e treguar pjesë të saj. I gjithë hekuri prej dy rrotash, vepër apo kryevepër e tij, ishte origjinal, prodhim i “fabrikës” Zino. Nuk u përgjigjej pyetjeve të mia, pa vështruar një herë nga biçikleta, a thua se ai lëmsh i metaltë do ta mësonte atë se si duhej të fliste.
NË VITIN 2005, KAMPION I ANGLEZËVE
Ky nëntitull mund të ishte edhe kështu: biçikleta e Zinos kalon notarët dhe vrapuesit. Pa dallim moshe, ambasada angleze në Tiranë, me 18 shtator 2005, organizon një garë të hapur sportive me siglën “Inaugural Triathlon of Albania”. Konkurrentët do të bënin 700 metra notim, 20 km pedalim me biçikleta dhe 5 km vrapim në zonën Mali i Robit Kavajë e kthim. Ndër dhjetëra e dhjetëra pjesëmarrës, disa edhe sportistë të huaj me karrierë të pasur, ishte edhe durrsaku 55-vjeçar Lutfi Zino. Dhe biçikleta e Zinos doli fituese edhe mbi notarët edhe mbi vrapuesit. Si ndodhi kjo? Zino reagon kështu ndaj interesimit tonë, mbi suksesin e plotë të kësaj pjesëmarrjeje ndërkombëtare:
“Fillimisht u nis konkurrimi me 700 metra notim. Disa nga pjesëmarrësit ishin vërtet të përgatitur dhe m’u duk se konkurrimi me ta ishte përtej arsyes. Por ja që ashtu si një violinist e nxjerr faqebardhë instrumenti, në këtë rast violina ime ishte biçikleta. Garën e notimit e përfundova diku nga mesi i konkurrentëve. Menjëherë mora biçikletën dhe i fola me gjuhën time. 20 kilometrat i realizova shumë shpejt dhe i lashë pas konkurrentët. Pastaj kalova te vrapimi. Oh nëne, sa vraponin ata! Por epërsia që më kishte dhënë biçikleta, nuk mund të kapej prej asnjërit prej tyre. Oh sa jam gëzuar që dola i pari! Nga kënaqësia dhe emocionet, shkova menjëherë te biçikleta, e putha si fëmijë dhe i “thashë”: të faleminderit!”.
“VDEKJA” E PASHPALLUR
Kur ndodhi ai tmerr ishte fundviti 1969. Zino vinte nga një pedalim historik në garën ndërkombëtare të detit Marmara (xhiro e Turqisë). Ishin marrë për ekipin kombëtar që përbëhej nga Lutfi Zino, Dashamir Rama, Haki Nikoçi, Sali Hima, Adnan Rudi dhe Sami Kotorri, biçikleta kineze që ishin të lehta, krahas markës çeke “Favorit” me trupa të rëndë 13-14-kilogramësh që përdoreshin nga tanët. Por këto kinezet e “shkreta”, kishin probleme me këputjen e telave thuajse në çdo etapë. Kjo frenoi shprehjen e plotë të aftësive të çiklistëve shqiptarë. Nga ekrani i memories Zino nxjerr në pah këtë fragment: “Shkëputem dukshëm në etapën e fortë malore Çenakala-Bedipërdur. Kryesova i vetëm për 70 kilometra. Por ja që kinezja (biçikleta) më la në baltë. Më këputet pedali. Në 10 kilometrat e fundit kapem nga grupi, duke u renditur në vendin e 14-të. Shtypi turk foli shumë mirë për çiklistët shqiptarë. Kjo më dha krahë. Më shtoi kurajën për të guxuar, pavarësisht se cilët ishin rivalët e mi”.
Sapo kthehet nga ky sukses, në një segment stërvitor në rrugën Durrës-Tiranë, krejt papritur ndalon një makinë e vogël ushtrie. Dhe Zino shikon tmerrin me sy. Teksa po vështronte ndryshimin e marsheve te korona, përplaset fuqishëm te mjeti dhe bie në tokë i gjakosur dhe pa ndjenja. “Nuk mbaj mënd se çfarë ndodhi me mua. Jam dërguar urgjent në spitalin ushtarak. Petrit Dume [shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë popullore] kishte dhënë urdhër t’i shpëtohet pa tjetër jeta çiklistit. Dhe neurologu Ismail Feta, bëri një operacion të vështirë ku vdekja ishte në përqindje më të madhe nga jeta”. Ali Zino hapi shtëpinë për mort dhe vetëm atëherë e kuptoi që dikur kishte pasur të drejtë, kur e kishte menduar këtë sport me risk të lartë për të birin. Pas një kome të zgjatur, Lutfi Zino ishte në të drejtën e zotit dhe reagon në mënyrën më të pabesueshme. 9 muaj larg çiklizmit, por me dëshirën e jashtëzakonshme për t’u strehuar përsëri mbi shalën e biçikletës. Mrekullia mban emrin Lutfi Zino. Pas kësaj “vdekjeje” të gjallë, Zino bëhet pronar i tre medaljeve të arta, duke e kaluar deri në harresë dramën e disa muajve të shkuar. Dhe tani kur e vështron, mbi kokën e Zinos janë vendosur disa qepje të frikshme, si një dëshmi e sakrificave dhe vetëmohimit që ka treguar ky emër i artë i çiklizmit.
DJEMTË E PLAZHIT
Ky “gur” i rëndë i çiklizmit, është një shpirt shumë i ndjeshëm. Më është dashur disa herë gjatë bisedave të zhvilluara me të, që të vazhdojë të më tregojë për veten e tij, pasi është një faqe e ndritshme e pedalimit shqiptar, por jo rrallë nuk ia dilja. Përmend me shumë mall, ngrihet dhe bën gjeste aty për aty sikur ka të bëjë dhe u flet përsëri aty personazheve, që i përmend pa fund. Dhe si padashur bie në një konstatim të pa hasur më parë: “A e di, – më drejtohet Zino, – që çiklizmin e Durrësit e kanë bërë djemtë e Plazhit?”. Dhe më përmend kampionë të rinjsh dhe të rriturish dhe u detyrova të bëj një kompromis me të, të shënoj disa prej tyre. Janë Ramazan Kërçuku, dy djemtë e tij Iliri dhe Alti, Muhamet dhe Shpëtim Guma, Leonard Zeneli dhe kampioni tjetër Ermir Avdolli, Ilirian Rexhepi, Luan dhe Edmond Omeri, Spiro Sotiri, Haki dhe Arben Nikoçi, Idriz Kabashi, vëllezërit Bllaka: Nuredini, Skënderi dhe Xhemali, Enver Shala, Kujtim Aliu, Ismet Balla, Fred Biçaku, Agim Skëndo, Saimir Tusha etj.
Kaq ia mora përsipër mjeshtrit të bëj, pasi janë dhe mjaft të tjerë. Pa dashur të zgjerojmë të tjerë kapituj të shkrimit, insistimi i Lushit është edhe për Bashkim Kërtushën, trajneri i të rinjve kampionë në vitet 70-të. “Bashkimi nuk ndjehet, është shumë i urtë dhe nuk e din se është për gazetë. Por ne na takon, ja tani që ra rasti, ti kujtojmë se janë vlera dhe pjesë e punës tonë”. Dhe Zino vazhdon të flasë e flasë për këto njerëz që e lidhi biçikleta, që kaluan vite të bukura rinie dhe burrërimi dhe që jeta i ndau se kush në punë të tij, por brenda me prushin e nxehtë të kujtimeve të cilat sa herë i prek, aq herë ndizen dhe të djegin në shpirt.
KAVAJA E BËRI SI “BURRAT”
Ardhja nga Bruklini i “amerikanit” Lutfi Zino, u shoqërua me reagime emocionuese, prekëse në Kavajë. Kavaja e traditës në topkëmbën e dikurshme, nuk mund të mos e priste me nderime Zinon, i cili lidhi jetën dhe jo pak nga viti 1982 e deri në vitin 1994 me këtë qytet të zjarrtë sportiv. Dhe Zino ishte vetëm 32 vjeç dhe u largua nga Kavaja 44, për të ardhur krejt prekshëm dhe përmallshëm në prill të 2015-tës. Ç’kishte bërë ky djalë për Kavajën? Ishte nisur një punë me të rinjtë nga Aleko Gjoni dhe Jorgji Tirana, por pa pretenduar për të konkurruar në rrethe çiklistike. Ardhja e Zinos në Kavajë, u prit me bujë të madhe. Ishte një emër shumë autoritar i çiklizmit. Jo vetëm qyteti, por edhe rrethinat dërguan djemtë e tyre te Lutfi Zino. Mjeshtri i dyrrotakëve durrsakë u futi atyre xixat e pasionit, për t’i kthyer në një zjarr, ku u ngjizën talenti dhe dëshira e jashtëzakonshme për pedalimin. Dolën edhe “vullnetarët” e parë si Rrapush e Kadri Popoi, Gëzim Dajsinani, Hysen Ejupi, Shpëtim Shala, Ilir Babani etj. Besa, jo vetëm nisi konkurrimet me ekipet më të mira të vendit, por çiklistë të saj fituan kandidaturat edhe si anëtarë të ekipit përfaqësues. Në Kavajë sikur e harruan futbollin dhe çiklizmi pushtoi zemrat e tyre. Zino kujton mbështetësit e asaj kohe, e veçanërisht emrin e të urtit dhe njeriut të fisëm Isuf Dobjanit. Kur djemtë e Besës filluan të fitojnë etapa dhe të krijojnë histori, Lut Zinon ngrihej në qiell nga tifozeria vendase. Kur ishte në Kavajë, Zino përfundoi studimet e larta në Akademinë e Sporteve, duke mbrojtur diplomën mbi ngarkesat fiziologjike të çiklistëve. Sapo shkeli këmbë në Shqipëri, Zino kaloi menjëherë në Kavajë, ku iu bë një pritje e pabesuar. “Kemi qarë si fëmijë, së bashku me vëllanë, Samiun. Kryetari i bashkisë Elvis Rroshi firmosi një Certifikatë Mirënjohjeje për mua, e cila u dha me një ceremoni për ta pasur zili. Dhe veç kësaj iu propozua instancave qendrore, për të ngacmuar vëmendjen për angazhimin tim për çiklizmin kavajas”. Këtë entuziazëm të jashtëzakonshëm shprehu mjeshtri, për pritjen magjike dhe trajtimin ekzaltues që i bëri Kavaja. Dhe pas kësaj vijmë te…
… DHEMBJET E PASHUARA
Në këtë profil për mjeshtrin e mirënjohur të biçikletës Lutfi Zino, kemi evituar kronologjinë e veprimtarisë së tij të frytshme, pasi ajo është sistemuar në skedën e karrierës, duke prekur dukuri pikante te jetës që ia vlejnë t’i serviren lexuesit të këtyre radhëve. Në rrafshin familjar dhe fisnor Lutfi Zino, gërryhet nga dhimbja për aksidentin e të birit Altit para 6 vitesh, ku rrezikon të mbërthehet nga një paralizë e përjetshme. Në Bruklin, apo siç thuhet ndryshe zona e Nju Jorkut, po bëhen përpjekje për riaftësimin e tij. Dy dhembjet e tjera janë në adresë të të vëllait Samiut. Disa vite të shkuara, humbi të birin 17-vjeçar Kastriotin dhe gjëma tjetër e madhe i ndodhi me të nipin Brajsin. Vitin e shkuar, teksa hidhej për t’u larë në pishinë, asfiksohet në kontaktin me ujët dhe 8-vjeçari humbi jetën në çast. Kjo e preku jashtë mase Lutin, që përpiqet t’ia mjekojë këtë plagë të pashërueshme vëlla Samiut. Por dhembja sportive, që nxiti edhe largimin e tij nga Durrësi dhe Shqipëria, lidhet me klubin sportiv të origjinës, që aq shumë bëri për ta nderuar me djersën dhe rininë e tij. Sikur të mos mjaftonte fitimi i rrethit çiklistik të vitit 1977 si individ dhe si ekip në 1972, 1974 dhe 1980, si dhe lavdia që i dha duke pedaluar me emra të tillë si Dashamir Rama, Haki Nikoçi, vëllezërit Bllaka, Naun Ranxha, Gëzim Kopliku, Arif Buja, Bashkim Kërtusha, Valentin Mustaka etj, duke u ndeshur me emra të spikatur për kohën si Hima, Katragjoni, Berisha, Gazheli, Dervishi, Kallxhiu, Ahmeti, Tafilica, e jo në pak raste dalë fitues ndaj tyre. Kur përmend emrin e Lutfi Zinos, nënkupton ndër të tjera edhe çiklizmin durrsak, rrënjët e të cilit i ushqeu me pasionin dhe talentin e pashuar.
Në vitin 1968 mori kupën si çiklisti më i ri. Për të kaluar i pari Qafë Thanën në maloren e famshme të saj, duke lënë mjeshtrit “me mjekër” të çiklizmit të vendit. Në prill të vitit 1969 del i pari në maloren e Krujës, për të fituar medaljen e artë në Spartakiadën e dytë kombëtare të këtij viti, duke i dhënë Durrësit vendin e dytë. E më pas fiton rrethe dhe etapa pafund. Dhe për t’ia dalë në këto përmasa, Lutfi Zino bënte vrap 30 kilometra duke mos lënë pëllëmbë toke pa shkelur deri në kodrinat e Arapajt, për të bërë çdo mëngjes, para se të ikte në punë, segmentet improvizuese me biçikletë Arapaj-Shkozet-Shijak e kthim. Çdo të diel Zino e kishte “racion” të përshkonte itinerarin Durrës-Qafë Kërrabë-Tiranë-Durrës dhe, pa marrë frymë, Durrës-malorja e Krujës e kthim. Zino mbajti rekordin e kronometrit Shkodër-Lezhë me 56 minuta, duke rritur mesataren e 43 kilometrave në orë. Përfaqëson Shqipërinë në garat stërvitore me ekipin kinez, në rrethin çiklistik të Turqisë, në kampionatin botëror në Valkenburg të Holandës, duke fituar edhe anketën e 8 sportistëve më të mirë për vitin 1978 organizuar nga gazeta “Sporti Popullor”.
Për Durrësin shkoi edhe sakrifica e tij, teksa martohet me 9 shtator 1973 dhe menjëherë pas dasme shkon në Tiranë, për të nisur të nesërmen etapat e planifikuara të rrethit çiklistik të radhës. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, me pasionin dhe dëshirën e pakonkurrueshme, ringre në vitin 2001 çiklizmin e Teutës që lëngonte prej 10 vitesh, duke e rikthyer te titujt kampionë, teksa fiton rrethin çiklistik në vitin 2003 dhe nxjerr edhe fituesin individual të rrethit Ermir Avdollin. Duke sfiduar bazën e dobët materiale të klubit, u blen çiklistëve me shpenzimet e tij 20 biçikleta dhe i mban thuajse tërë kohën të grumbulluar në shtëpinë e tij. Dushet, çajin, disa ushqimet domosdoshme çiklistëve ia siguronte ky kampion me zemër të madhe, i quajtur Lutfi Zino.
Dhe kundrejt kësaj sakrifice të pashembullt, krejt papritur drejtuesit e atëhershëm të klubit shumësportesh Teuta e largojnë nga ekipi, duke e prerë në besë Zinon vetëmohues dhe sakrifikues të çiklizmit. Tentoi të gjejë të drejtën e tij dhe të sqarohet por më kot. I thyer, i fyer dhe i brengosur detyrohet të largohet nga Shqipëria dhe qyteti i lindjes dhe të jetojë te vajza e tij Flutura në Bruklin të Nju Jorkut. Edhe tani dridhet kur i kujton ato çaste fatkeqe, ku u dhunua çiklizmi dhe protagonisti i tij historik Lutfi Zino. “Dhimbje më të madhe nuk ka ku të shkojë, – thotë Zino këto ditë para se të largohet për në Amerikë. – Po të më lenin për të punuar edhe tani, unë do të isha pranë çiklizmit dhe çiklistëve. Çfarë mund të them për presidentin Skënder Anxhaku, që megjithëse e di që jam në Shqipëri, nuk më ftoi në kupën Murriqi, apo të ngacmonte historinë e këtij sporti edhe me ndonjë dedikim në kujtim të karrierës dhe sakrificave të bëra. Prandaj vlerësoj Kavajën, për atë burrëri që tregoi në vlerat dhe promovimin e traditave të saj, në kohën prej 12 vitesh kur unë punova pranë tyre dhe për to”.
HABIA AMERIKANE
Gati 10 vite të mjeshtrit në Amerikë. Punon së bashku me të shoqen Andonetën dhe jetojnë me vajzën e tyre Fluturën dhe djalin Altin. Flutura ka një djalë Stivenin, 17 vjeç dy metra i gjatë dhe që ushtron basketbollin dhe vajzën Sarën 9 vjeçe edhe kjo sportiste. Iliri, djali i madh, jeton në Itali dhe ka qenë edhe ky një çiklist i talentuar. Aurora 9 vjeçe erdhi në jetë nga lidhja martesore me italianen nga Sardenja, me emrin surprizë që tingëllon bukur në shqip Debora. Edhe në Amerikë Zino nuk i ndahet biçikletës. Janë të shumta fotot, kur ai shkon në punë 30 km larg nga shtëpia me biçikletë, duke mos përjashtuar rastet kur e mban biçikletën në tren dhe pedalon më pas drejt punës. Zino na befason kur tregon biznes-kartë, ku lexohet: Bruklin, Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit. Kjo ka nxitur që klientë të ndryshëm të vijnë te shqiptari Zino për të rregulluar e riparuar biçikletat, madje edhe për të blerë dyrrotakë që Zino i adapton si të reja. Lutfi Zino është novator i biçikletave, duke i përshtatur sipas çiklistit amator që do të pedalojë me to. Surpriza që vjen nga Bruklini është edhe kjo. Nga komuniteti hebraik që jeton në masë në Bruklin, ka ardhur edhe kërkesa për të qenë trajner i ekipit të tyre të çiklizmit. Por koha bën të sajën dhe mjeshtri ynë, pavarësisht pasionit të palëkundur, nuk mund t’i kthehet më shkëlqimit të dikurshëm të trajnimit. Sigurisht edhe ky profil, ndihmon sadopak në gjendjen e lëkundur shpirtërore të mjeshtrit të çiklizmit shqiptar, për ti dhënë sadopak kurajë e për të thënë më gojën plot se në Atdheun e tij nuk është i harruar, pasi kujtohet kësisoj.
Skedina e Lutfi Zinos
Lindi në Durrës më 20 prill 1950.
Në vitin 1967 debuton me ekipin e Lokomotivës, pasi meriton vendin e parë në garën më cilësore lokale me itinerarin Durrës-Golem e kthim. Në garat e forcave të kufirit 1968, kalon i pari Qafë Thanën duke sfiduar mjedhrat e njohur të kohës si Xhavit Gazheli, Eqerem Dervishi, Sali Hima, Zak Katragjoni, Muharrem Ahmeti etj. dhe në fund të kësaj veprimtaie meriton kupën si çiklisti më i ri. Në Kupën “Skënderbeu”, më 11 janar 1968, me itinerar Durrës-Krujë-Durrës, preu shiritin në Krujë dhe renditet i treti në Durrës pas Berishës dhe Himës. Në Spartakiadën e Dytë Kombëtare realizon një finish spektakolar duke hyrë i pari në pistën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” Tiranë, duke ndikuar që Durrësi të renditet në vendin e dytë në klasifikimin final. Në Rrethin Çiklistik të vitit 1969, fiton garën me kronometër Shkodër-Lezhë, duke e përshkuar distancën me kohën 56 minuta, si dhe duke rritur për herë të parë në historinë e çiklizmit shpejtësinë e pedalimit 43 km/orë. Kryesoi këtë rreth deri në Gjirokastër, ku si pasojë e avarive në pesë raste të ndërrimit të gomave, fanella e verdhë i kalon shokut të ekipit, Dashamir Rama. Në vitin 1970 inkuadrohet në klubin Partizani. Spikat angazhimi i tij në Xhiron e detit Marmara, ku në një etapë ishte kryesues dhe kapet nga grupi i çiklistëve në 10 kilometrat e fundit, duke u renditur në vendin e 15-të. Në këtë vit pëson një aksident të rëndë, duke u shkëputur nga çiklizmi 10 muaj dhe duke bërë çudinë me rikthimin. Në kampionatin e rrugëve malore shpejtësi-rezistencë në vitin 1970, fiton garën në kronometrin individual dhe meriton tri medalje. Fiton Rrethin Çiklistik në vitin 1971 dhe garën me kronometër në distancën 42 kilometra. Në vitin 1972 kthehet në vendlindje, Durrës, dhe ndikon që Lokomotiva e tij të fitojë Rrethin e 28-të Çiklistik të Shqipërisë. Është nga çiklistët kryesorë që grumbullohet në periudhën 1972-73 në ekipin kombëtar, i angazhuar në gara dhe stërvitje të përbashkëta me çiklistët kinezë në Kinë dhe Shqipëri. Martohet me Andonetën në vitin 1973, duke e shtuar familjen me tre fëmijë: Ilirin, Fluturën dhe Altin. Kryen në vitin 1974 nga novacionet më brilante të çiklizmit, duke zvogëluar telajon (trupin) e biçikletës në përshtatje me gjatësinë e tij trupore, duke zmadhuar njëkohësisht edhe koronën nga 51 me 54 dhëmbë. Ky novacion ndikoi dukshëm, që Lokomotiva, të rikthehet tek fitimi i Rrethit Çiklistik. Në takimin me ekipin Cibo të Brashovës (Rumani), në përbërje të ekipit përfaqësues, çiklisti durrsak është i pari. Mjeshtër sporti vlerësohet në vitin 1974 dhe Mjeshtri i Merituar në vitin 1994. Gara Tiranë-Elbasan-Tiranë e vitit 1976 fitohet nga Lutfi Zino. Fiton Rrethin e 33-të Çiklistik në vitin 1977 dhe një vit më pas diploma është për të, si çiklisti më i mirë i Rrethit të 34-të. Sërish Zino në kampionatin botëror të çiklizmit, zhvilluar në Valkenburg të Holandës ku e prezantoi çiklizmin shqiptar në mënyrën më të mirë të mundshme. Fiton Anketën tradicionale 8 sportistët më të mirë të vitit 1978 dhe në vitin 1980 meriton Fletë Nderi dhënë nga autoritetet vendore të kohës, si mburrja i çiklizmit durrsak. Edhe në Rrethin e fundit ku mori pjesë në vitin 1981, sërish vlerësime me stimuj moralë si ndër më të dalluarit e këtij rrethi. Ky është edhe viti që Lutfi Zino ndërpret aktivitetin si çiklistik për t’u marrë me detyrën e trajnerit. Ngarkohet në vitin 1982 të ngrejë çiklizmin në Kavajë në përmasat e traditës, ku është kryer një punë e jashtëzakonshme. Duke bashkëpunuar me forcat kavajase si Aleko Gjoni dhe Jorgji Tirana, krijuan ekipin historik të Besës me çiklistë të njohur dhe cilësor si Rrapush e Kadri Popoi, Gëzim Dajsinani, Ilir Babani, Selim Rroqja, Qemal Qela dhe Qemal Shala, Hysen Jaupi. Një pjesë të këtyre çiklistëve i aftësoi deri në veshjen e fanellës së ekipit kombëtar. Mbaron studimet e larta në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sportiv dhe në vitin 2001 shikohet në Durrës, teksa ringre ekipin e Teutës, pas një heshtjeje të plotë 10-vjeçare. Fiton me këtë ekip në vitin 2003 Rrethin Çiklistik dhe përgatit një kampion të spikatur si Ermir Avdollin.





