Durrës, 23 prill 2014 – Në nëntor 2003, ish-trajneri i parë i huaj që erdhi pranë “SK Lushnjes”, ishte rumuni Aurel Cikleanu, i cili dha dorëheqjen nga posti i tij, pas një karriere të mëparshme me Dinamon e Tiranës, midis viteve 2002-2003, duke fituar “Kupën e Shqipërisë”, ndërsa përgjatë verës së 2003-it me ekipin e “SK Lushnjes”. Pesë vjet më parë atë ekip e udhëhiqte i madhi argjentinas, Mario Kempes. Pak e çuditshme për Shqipërinë e atyre viteve, por e vërtetë. Sipas gazetës argjentinase Clarin e datës 6 shkurt 1997, në një shkrim të Ramon Gomezit, me titull “Legjenda vazhdon”, përshkruhet se “Kampioni ‘vrasës’ i botës, i vitit 1978, kërkon klube të reja si teknik, pas një eksperience ekzotike në Shqipëri, shtet i cili shkoi drejt krizës së thellë ekonomike”. Më tej ai citon Kempesin, i cili me sa duket ka mësuar shumë përgjatë kohës së shkurtër që ka qëndruar në Shqipëri.

Shumë nga ‘zyrtarët e firmave’ u futën në burgje, pasi qeveria e atij vendi mori në dorë situatën. E vërteta është se përgjatë gjithë kohës së qëndrimit tim, atje paguante gjithçka për mua ‘kompania në fjalë’, dhe në pak kohë m’u kërkua nga financa që t’i ktheja mbrapsht të ardhurat e marra deri atëherë, derisa të qartësohej situata. Deri tani nuk kam asnjë të re, por në qoftë se ata do të më thërrisnin dhe do të më paguanin, unë do të rikthehesha sërish në punën time. Ishim në gjysëmfinalen e Kupës së Shqipërisë dhe nuk doja t’a humbisja këtë shans”, – i ka deklaruar Kempes, gazetës argjentinase “Klarin”, në shkurt 1997.

Përgjatë një pyetjeje të gazetarit, se si komunikonit me lojtarët e ekipit, Kempes u përgjigj: “E thjeshtë. Flas me ta diçka në italisht, disa ‘poquito’ (shumë pak) në spanjisht,  dhe pjesën tjetër në dialektin tim kordovanez. Çunat më kanë kuptuar!”.

Gazeta “The Observer”, e datës 3 shkurt 2002, u bën një analizë ngjarjeve të 1997, ku bënte pjesë ndoshta ‘aksidentalisht’ edhe Kempesi.

“Ai kaloi një muaj turbullues në Shqipëri, duke u ngarkuar në postin e trajnerit të “SK Lushnjes”, qytet rreth 45 milje larg Tiranës. Në një kohë krejt të shkurtër ekonomia e vendit ra në kolaps dhe pasiguria pushtoi atë vend. Presidenti i klubit të Lushnjes në atë kohë, Rrapush Xhaferri, ishte një prej atyre presonave që krijoji një prej këtyre firmave piramidale. Duke parë situatën e rëndë, Kempes rikujtoi atë kohë sërish duke u shprehur: “Ishte shumë vështirë”, për të vazhduar më.

“Ne ishim në dorë të Zotit dhe po ashtu edhe ekipi që unë udhëhiqja në gjysmefinalen e Kupës së Shqipërisë. Shikoja se si ai vend kishte shumë probleme ekonomike, megjithatë mendoja se ata do t’i kalonin shumë shpejt ato. Eventualisht disa prej tifozëve lokalë më lajmëruan mua se situata po shkonte keq e më keq, dita-ditës. Ata më thanë që duhet të ikja, pasi po të vonohesha në zgjedhjen time nuk do të kisha mundur të largohesha më prej andej. Bëra të pamundurën që të largohesha, një ditë pas situatës së jashtëzakonshme. Fluturova drejt Romës, së bashku me vëllain tim. Ishte pikërisht avioni i fundit që largohej nga Shqipëria, përpara se të ndaloheshin fluturimet. Ishim shumë fatlumë”, – është shprehur ai në një intervistë akorduar gazetës “The Observer”.

Sakaq, Agjensia Telegrafike Shqiptare, më datë 20 dhjetor 1996, bën të ditur se “Argjentinasi Kempes nënshkruan kontratën me Sport Klub “Lushnjen”, duke vazhduar edhe më tej se “…Mario Kempes dhe presidenti i Lushnjes Pëllumb Xhaferi do të nënshkruanin kontratën këtë të shtunë për klubin e tij, e vlefshme për dy vjet”.

Sipas të dhënave, marrë nga ATSH, “kontrata e atëhershme me Kempesin ishte prej 350 mijë dollarë në vit”. “Unë e dua futbollin dhe besoj se Kempes do të japë kontributin e tij të madh në këtë sport”, – ka deklaruar ish-presidenti i SK “Lushnjes”, ndërsa Kempes është shprehur se “Do të më pëlqente të punoja në Shqipëri”.

Kontrata, sipas agjensisë shtetërore të lajmeve, ishte parashikuar të fillonte më 3 janar 1997. “Vetëm disa ditë pas fillimit të tij të punës pranë SK Lushnjes, Kempes shënon fitoren e tij të artë si trajner”. Në një artikull të datës 12 janar 1997 shkruhej se “…Kempes erdhi në rolin e trajnerit, pas tre blerjeve që kishte bërë ekipi i Lushnjes, me një brazilian dhe dy nigerianë, duke bërë të mundur fitoren e parë ndaj ekipi të Durrësit, Teutës, me rezultatin 1-0, gol i shënuar nga Cukani, në minutën e 18-të, me anën e një penalltie”.

 

Mediet e huaja për aventurën shqiptare të Kempes

Lajmi i ardhjes së tij në Shqipëri nuk u harrua lehtë nga mediat e huaja të asaj kohe. Sipas gazetes “Fanagloria”: “…në Janarin e 1997-ës, ai iu drejtua Europës pranë ekipit të Lushnjes, në Shqipëri, por shumë shpejt u detyrua t’a braktiste atë para kohe, për shkak të situatës ekonomike dhe politike që arriti ai vend në atë periudhë”. Përreth jetës së Kempesit u botuan ndërkohë shumë libra, por më i rëndësishmi është dokumentari mbi jetën e e tij, i titulluar “Dreams of leather of Cesar Meneghetti”, një prodhim italian i vitit 2004, i cili flet per ardhjet e futbollistëve të parë nga vendet Latino-Amerikane, ku ndër të tjerash përmendet kryesisht edhe ‘goleadori’ Mario Kempes, që ka zë vendin kryesor. Gazeta italiane “Notizie Est”(gazetar Xhiorxhio Spada) ka botuar një artikull që mban datën 21-01-1997 dhe bëri të ditur shumën që Rapush Xhaferri, i quajtur “gjenerali i Lushnjës”, mori pranë ekipit të tij, të qytetit prej rreth 25 mijë banorësh, ish-kampionin e Argjentinës të ’78-ës, Mario Kempes, kundrejt shumës prej 300.000 dollarësh”. Për një gazetë tjetër italiane, “Notizie Est”, Kempes foli përreth eksperiencave të futbollit dhe nuk ka harruar pa përmendur edhe ato të jetës së tij. “Më kuriozja, por edhe më e rrezikshmja, ka qenë kur vizitova për herë të parë Shqipërinë. Vajtja atje, mora në dorë ekipin e Lushnjes, e çova deri në finalet e Kupës së Shqipërisë dhe…ika nga sytë këmbët, si pasojë e luftës civile, e cila sapo kishte nisur!”.

 

Karriera e El Matador Mario Kempes

“Shteti im është ekstremisht fatlum që prodhon lojtarë të mëdhenj. Unë jam një prej tyre që kam bërë histori në futbollin argjentinas”,- do të deklaronte ai me një modesti në kohën e tërheqjes nga futbolli .

Ky eshte El Matador-Mario Kempes. Veterani i tre Kampionateve Botërore.  Mario Kempes, është figura më e njohur futbollistike, që me golat e tij i solli fitoren brenda në shtëpi ekipit të Argentinës në turneun e 1978-ës, por edhe si personi që çuditi botën atëherë kur në fundin e vitit 1996 erdhi si trajner pranë ekipit të “SK Lushnjes”. Mario Kempes lindi në Bel Vil – Kordoba, të Argjentinës, më 15 Korrik 1954. E filloi futbollin me “Instituto Cordoba”, më 5 Tetor 1973 (kundrejt ekipit të “Neëell Old Boys”, duke humbur me rezultatin 0-1) dhe më pas me “Rosario Central”, përpara se ai të dilte në debutimin e tij ndërkombëtar, më 1974, kundër ekipit të Bolivisë. Mario Kempes u regjistrua si pjesëtar i kombëtares argjentinase më 19 prill 1972, – kur nuk ishte as 18 vjeç, në “divizionin” kundër Portugalisë, në Kanë, duke shënuar një prej tre golave të ndeshjes dhe duke mbyllur atë me fitoren argjentinase, 3-1. Me përjashtim të Diego Maradonës, askush nuk do shkëlqente më shumë se sa Mario Kempes i Argjentinës. Në një retrospektivë të jetës së tij, ishte i ati i tij, ai që kishte qenë amator futbolli në disa klube argjentinase dhe pikërisht personi që e inkurajoi të riun Kempes të luante futboll që në moshën 9 – vjeçare. Askush nuk e mendonte se gjashtë vjet më vonë, ai do të bëhej golashënuesi më i mirë në një ekip lokal, për Kampionatin Rajonal. Me ekipin e kombëtares bardheblu, përgjatë karrierës së tij, do të shënonte 20 gola në 43 ndeshje ndërkombëtare, të luajtura për ta.

Në moshën 20 vjeçare luajti me ekipin e Argjentinës në Kupën e Botës në Gjermani, më 1974, kundrejt Bolivisë, nën udhëheqjen e trajnerit Enrike Omar Sivori, duke fituar ndeshjen me golin e shënuar nga Oskar Fornari, por pa u fianlizuar si ekip. Sidoqoftë, ajo ishte një eksperiencë e pakëndëshme për të. Ai humbi po ashtu rastin e shënimit të golit në ndeshjen e parë kundër ekipit të Polonisë dhe që atëherë nuk pati fat, duke mbaruar turneun e vitit 1974 pa shënuar asnjë gol. Fill pas kësaj, pikërisht më 1976, njeriu i konsideruar si “balanca e madhe, shpejtësia dhe shkelmimi i topit”, nënshkroi një kontratë pesë-vjeçare me klubin spanjoll të Valencias, duke shënuar në sezonin e parë 24 gola. Në një sezon të plotë, ai ishte në top-listën e golashënuesve me 24 gola, dhe ishte më e madhja në dhjetë vitet e fundit. Ai do të kishte një vit më pas 28 gola, ndërkohë që kryesimin si golashënuesi më i mirë e mbante Di Stefano me 31 gola, përgjatë sezonit 1956-57. Rekordet e Kempesit në futbollin spanjoll ishin impresionuese; dy Kupa Spanjolle, dy Kupa Europiane-Fituesit e Kupës, një të Super Kupës Europiane dhe dy herë si golgejter i Ligës, e para më 1976-77 me 24 gola, dhe sërish më 1977-78, me 28 gola. Ndërkohë, kur në shtetin e tij, në Argjentinë, “luhej” diktatura ushtarake, Kempes ishte një prej dy lojtarëve që luanin pranë klubeve të huaja, që u thërrit nga trajneri César Luiz Menoti për Kupën Botërore të FIFA-s, më 1978.

“Është i fortë fizikisht, ka talent, krijon hapesira dhe gjuan fort. Ai lojtar është i ndryshëm nga të tjerët, madje ai mund të luajë edhe rolin e një mesfushori të përparuar”, – u shpreh Menoti, kur bëri publik listën e tij pranë Kombëtares Argjentinase më 1978.

Dita e 25 Qershorit 1978 do të ngelet në memorien e gjithë argjentinasve: Argjentina 3, Hollanda 1. Kempes shënoi dy nga golat e ndeshjes, një në minutën e 38-të dhe tjetrin në pjesën e parë të kohës ekstra, prej 15 minutash. “Tashmë jam bërë argjentinasi më i madh dhe golashënuesi i dytë, pas Xhuilermo Stábilit”, – tha Kempes në një intervistë për shtyp, të njëjtën ditë. Vetëm 23 vjeç, ai mori pjesë sërish në një tjetër kampionat botëror, kësaj radhe i organizuar “brenda në shtëpi”, në Argjentinë ‘78. Më inteligjent dhe më i fortë sesa ai i 1974-ës, tashmë Kempes nuk pati asnjë problem për të gjetur rrugën drejt portës. Në fazën e grupeve Argjentina mundi Hungarinë dhe Francën, por humbi në ndeshjen e fundit me Italinë, me rezultatin 1-0. Në fazat e mëtejshme, sulmuesi më “flokë të gjatë” theu mbrojtjen e Peles së Brazilit, dhe më pas atë të Polonisë, duke bërë që Argjentina të arrinte në finalen e madhe. Në këto dy ndeshje ai shënoi dy gola kundra Polonisë dhe dy në portën e Perusë. Në finalen me Hollandën, ai shënoi në minutën e 38-të, duke bërë që Argjentina të shkonte në avantazh. Sakaq, Holanda barazoi nëpërmjet Dik Naningës dhe e çoi ndeshjen në kohën shtesë. Përpara se të mbaronte pjesa e parë e shtesave (koha ekstra çerekorshe), Kempes tribloi përmes tre mbrojtësave dhe shënoi. 2-1 për Argjentinën. Pesë minuta përpara finales, Kempes i pasoi një top gjenialit Daniel Bertoni, që e çoi ndeshjen në rezultatin përfundimtar 3-1. Me gjashtë golat e shënuar në Kupën e Botës, në Argjentina 1978, Kempes mbaroi turneun e tij si golgejter duke u dhënë titulli i FIFA-as, “Këpuca e Artë”. Pas fitimit të medaljes për “Kupën Spanjolle” më 1979-ën, Kempes gjuan penalltinë finale që vendosi fatin e Valencias, në fitimin e “Kupës Europiane” më 1980, duke fituar ndaj ekipit anglez të Arsenalit. Në Kupën e tretë të Botës më 1982, ai përfundoi “rrugën e botëroreve sërish në dështim”, duke e mbyllur karrierën pas 18 ndeshjesh. Argjentina shkoi drejt Spanjës së vitit 1982 me “disa rekuieme” të Botërorit ‘78. Historia nuk u përsërit sërish. Midis viteve 1981-1982 ai aktivizohet me ekipin “River Plate“, duke u rikthyer në Argjentinë, dhe sërish midis 1982-1984 shkon pranë Valencias. Përgjatë vitit 1983 ai mban bluzën me numrin 10, duke bërë të ditur indirekt “idenë e eklipsimit” të liderit të atëhershëm, Diego Armando Maradona, i cili e përmendi bashkëpatriotin së fundmi në një autobiografi duke iu referuar Kempesit: “Njeriu që vuri futbollin argjentininas në hartën e botës”.

 

Mario Kempes dhe ekipet e tij

Në karrierën e tij të gjatë futbollistike, Mario Kempes, ka luajtur me “Instituto de Córdoba” (‘73-‘74), “Rosario Central” (‘74-‘76) dhe “River Plate” (’81-‘82) në Argjentina. Në Spanjë ai u aktivizua me Valencian (’76-‘81 dhe ’82-‘84) dhe “Hércules de Alicante” (’84-‘86). Nga 1986 në 1992 ai luajti në Austri  me “First Vienna” (‘86-‘87), dhe më pas me “Saint Polten” (’87-‘90) , duke e mbyllur karrierën e tij me “Kremser” (’90-‘92). Ai u bë më pas “pasiv” me futbollin, ndërkohë që morri titullin “Qytetar Nderi” nga Qeveria e Provincës së Mendozës (Argjentinë) dhe punoi njëkohësisht me ekipin e Valencias, në rolin e asistentit të trajnerit uruguajan, Héctor Núñez. Në 1995, ai bëri një rikthim të shkurtër në kombëtaren e Kilit, dhe më pas lojtar-manaxher i Ligës së Kampioneve të Indonezisë, “Pelita Hyatt”. Ai dha dorëheqjen e parevokueshme si futbollist më 1996, në moshën 41 vjeçare. Statusin e parë si trajner i federuar zyrtarisht e morri më 1999, me ekipin “The Strongest” (Bolivi), përpara se ai të lëvizte drejt një ekipi tjetër bolivian, “Independiente Petrolero”.

 

Pasaporta

Mario Alberto Kempes

Pseudënimi: “El Matador”

Lindur: 15 Korrik 1954

Gola të shënuar: 20

Kupa e Botës: Fitues në 1978

Golashënues në botëror: 1978-6 gola

Ka marrë pjesë në botërorin: Gjermani 1974, Argjentinë 1978, Spanjë 1982

Lojra në K.Botëror/gola: 18/6

 

Karriera si  lojtar

Klubet:

1971-1973: Instituto de Córdoba (Argjentinë)

1974-1976: Rosario Central (Argjentinë)

1976-1981: Valencia (Spanjë)

1981-1982: River Plate (Argjentinë)

1982-1984: Valencia (Spanjë)

1984-1986: Hércules de Alicante (Spanjë)

1986-1987: First Vienna (Austri)

1987-1990: Saint Poltern (Austri)

1990-1992: Kremser (Austri)

1995: Fernández Vial (Kili)

1996: Pelita Hyatt (Indonezi)

 

Çmimet e marra me klubet:

1978 Fitues i Kupës Spanjolle

1979 Fitues i Kupës Spanjolle

1979 Kupa Europiane dhe fitues i Kupës

1980 Kupa Europiane dhe fitues i Kupës

1980 Fitues i Super Kupës Europiane

1981 Fitues i Kampionatit Argjentinian

 

Çmimet ndërkombëtare:

18 loja të kryera në tre Kupa Botërore të marra pjesë

1978 Kupa Botërore e Argjentinës: Fitues, Golashënues dhe Lojtari më i Mirë i Botërorit

 

Karriera si trajner

1993: Valencia (asistent i Héctor Núñez)

1996: Pelita Hyatt

1996: SK Lushnja (Shqipëri)

1997-1998: Mineros de Guayana (Venezuelë)

1999: The Strongest (Bolivi)

2000-2001: Independiente Petrolero (Bolivi)

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/