29 qershor 2015 –Në gjirin detar të Durrësit, vitet e fundit janë zbuluar disa spiranca të anijeve antike, që dëshmojnë për shkëmbimet intensive tregtare të qytetit-port. Një pjesë janë zbuluar pranë relikteve të anijeve, ndërsa ka të tjera që vazhdojnë të jenë nën ujë.

Sipas arkeologut nënujor Adrian Anastasi, edhe falë bashkëpunimit të peshkatarëve, vetëm në periudhën 2004-2015 janë zbuluar pesë spiranca që mbulojnë një periudhë 800-vjeçare të lundrimit, nga shekulli i 6-të p.e.s deri në shek. e 2-të të e.s.

Spirancat kanë pjesë prej druri, bronxi dhe prej plumbi, sipas periudhave që u përkasin. Ato përcaktojnë madhësinë e anijeve që lundronin pranë brigjeve tona.

Spirancat e dimensioneve të mëdha janë dëshmi e pranisë së anijeve mbi 300 tonë e me gjatësi 25-30 metra, mjaft të mëdha për kohën, por edhe tregues të shkëmbimeve ekonomike mes Ilirisë dhe vendeve të tjera të Pellgut. Porti i Durrësit dallohej pikërisht për vëllimet e mëdha të mallrave dhe reliktet e gjetura vërtetojnë se këto anije i drejtoheshin ose po niseshin nga qyteti bregdetar.

(Në foto: Dr. Adrian Anastasi gjatë zbulimeve nënujore.)

/G.K. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/