11 qershor 2015 – Këshilli i Qarkut të Durrësit i është përgjigjur pozitivisht apelit të Kryqit të Kuq dega Durrës, për dhurim gjaku. Apeli vjen si pasojë e mungesës së gjakut në spitalin rajonal të qytetit.

Në mjediset e këtij institucioni janë instaluar mjetet e nevojshme për dhurimin e gjakut, bashkë me gjithë personelin përkatës.

Kreu i Këshillit, Alfred Mullara së bashku me disa punonjës të tjerë të administratës, kanë qenë të parët që kanë dhuruar gjak për spitalin rajonal të Durrësit.

Ndërsa, drejtuesja e Kryqit të Kuq, Mira Guza ka falënderuar punonjësit e këtij këshilli për gatishmërinë e treguar.

Ajo, gjithashtu ka bërë të ditur se jo të gjitha institucionet shtetërore në Durrës i janë përgjigjur kësaj thirrjeje, e po ashtu edhe subjektet ekonomike private.

Spitali rajonal i Durrësit ka shumë ngarkesë të madhe të pacientëve, e shpesh herë ndjen nevojën për gjak. Për këtë arsye apeli i bërë për dhurim gjaku vazhdon. Të gjithë ata që dëshirojnë të dhurojnë gjak mund ta bëjnë atë në çdo kohë.

Të dielën më 14 qershor, nis dhe java e dhurimit të gjakut, ndaj apeli i Kryqit të Kuq është: 'Sa më shumë donatorë për dhurim gjaku, aq më shumë jetë të shpëtuara'.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/