DURRES, 27 qershor 2013 – Sot në mesdite, në spitalin rajonal të Durrësit u nda nga jeta në moshën 88 vjeçare korifeu i basketbollit durrsak dhe i atij kombëtar, mjeshtri i merituar i sportit, Nderi i Sportit Shqiptar, Qytetar Nderi dhe Nderi i Qytetit të Durrësit Dhimitraq Goga. Homazhet do të kryhen nga ora 11.00 deri në 12. Oo në hollin e teatrit A. Moisiu të Durrësit. Më pas korteu i përmortshëm do ti drejtohet varrezave të qytetit.

In memoriam

Nga Bujar Qesja

Dje në mesditë në spitalin rajonal të Durrësit, sos minutat e fundit të jetës së tij Dhimitraq Goga. Nesër me 29 qershor, ky korife i basketbollit durrsak dhe atij kombëtar do të priste urime për 88 vjetorin e lindjes. Por ja që fatkeqësia pllakosi si papritur. Mjeshtri nuk ishte mësuar ta mbanin për krahu, pasi sportiviteti i tij ishte dukuria më pikante që ende e mbante në këmbë. Por ja që në të vetmin moment, këmbët nuk po ia mbanin fizikun e brejtur nga pesha e viteve dhe papritur humbet ndjenjat. Një emoragji cerebrali e kishte goditur Dhimitraq Gogën, duke mos i dhënë asnjë shans për të mbijetuar. I rëndë është lajmi dhe u përhap me shpejtësi në Durrës dhe jashtë kontureve të tij. Mjeshtri Goga, ai që bëri legjendën e basketbollit në Durrës, padyshim figura emblematike e sportit të koshit teksa mbyll sytë përgjithnjë me 27 qershor, mbetet i ulur plot dinjitet pas kësaj në memorien e atyre që e njohin, të miqve dhe shokëve, të afërmëve për të qendruar gjithnjë i freskët në atë që dha për sportin e koshit.

Për Dhimitraq Gogën kujtimet rrjedhin lumë, pasi e tillë si lumë rrodhi edhe karriera e tij sportive. Tek Dhimitraq Goga ishin rrokur njëherazi njeriu i urtë dhe i respektueshëm, duke kryer çdo detyrë qytetare e mbi të gjitha spikat rruga e tij e pasur sportive. Me nxitjen e të vëllait më të madh Vlashit, Dhimitraq Goga nisi të “rrahë” topin e basketbollit që në moshën 12 vjeçare në shkollën qytetëse të Durrësit. Ishte viti 1937. Dhe për më shumë se 40 vite, Dhimitraqi do të lëvronte të gjitha sportet e ujit (vaterpol, not, hedhje nga trampolini), për të kaluar në angazhime të tjera anloge si hendboll, futboll, boks, ngritje peshe për tu fiksuar më pas dhe për të bërë histori në basketboll. Kur përmënd në Durrës emrin e Dhimitraq Gogës, kujton kapitullin më të spikatur të këtij qyteti basketbollin. Trupi i tij i bëshëm, 2 metrosh, e bëri të domosdoshëm pjesmarrjen e tij jo vetëm në ballkaniadën e Splitit në vateprol dhe not në vitin 1946, për të kaluar menjëherë në kampionatin ballkanik të volejbollit në Bukuresht (Rumani). Aftësitë dhe talenti i tij, e vendosën me meritë në formacionin kryesor të përfaqësueses shqiptare, në kampionatin europian të basketbollit në Pragë (Çeki) në vitin 1947, e më tej në festivalin e 6-të të rinisë botërore organziaur në Moskë në vitin 1957. Dy angazhimet e tjera madhore ndërkombëtare të Dhimitraq Gogës, gjithnjë në pozicionin e titullarit, mbeten takimet ndërkombëtare në basketboll në Berlin të Gjermanisë dhe në kampionatin europian në Sofje të Bullgarisë në vitin 1957.  Por fama e Gogës mbetet gjithnjë e pacënuar edhe në përfaqësimet më të arritura të basketbollit durrsak. Kështu ai udhëhoqi suksesin e titullit kampion të Lokomotivës në vitin 1947 dhe 1955.

Lokomotiva e Dhimitraq Gogës mbeti në elitë të basketbollit shqiptar. I jashtëzakonshëm është ndihmesa e mjeshtrit të koshit Goga edhe si trajner. Mbetet ende e pashuar jehona e “harlemave” të rinj të basketbollit durrsak, teksa dominuan plot finesë, mjeshtri e temperament sportin e koshit  shqiptar, teksa bëhen 11 herë fitues rradhazi nga viti 1959 e deri në 1970. Goga drejtoi basketbollin e Lokomotivës deri në fund të viteve 70, duke qenë së bashku me trajnerin Feti Borova edhe në krye të basketbollit shqiptar në turneun e famshëm të Kinës në vitin 1974. E gjithë rruga sportive e Dhimitraq Gogës, është çmuar dhe vlerësuar ndjeshëm. Në vitin 1957 vlerësohet në pesë basketbollistët më të mirë të vendit dhe në vitin 1965 në pesë trajnerët më të spikatur. Figura madhore e Dhimitraq Gogës në basketboll është çmuar me titujt e lartë Mjeshtri i merituar, Nderi i Sportit Shqiptar, Qytetar Nderi dhe Nderi i Qytetit të Durrësit, Urdhëri Naim Frashëri i Klasit të Parë, basketbollisti i shekullit për qytetin e Durrësit etj. Qytetarët durrsakë nuk do të mund ta shikojnë më rrugëve të qytetit të tyre sportistin dhe trajnerin e famshëm Dhimitraq Gogën, teksa e përshëndetnin me shumë respekt. Ai do tu mungojë atyre përgjithnjë. Por kurrë nuk do tu shkitet nga memoria, duke mbetur kurdoherë shembulli më i mirë i njeritu të përkushtuar në sport dhe në jetë. Lamtumirë mjeshtër! Mirnjohje për gjithçka të mirë dhe të vlefshme që i dhe qytetit tënd të lindjes- Durrësit.