Itali, 8 prill 2014 – Një miliard euro. Ja sa vlen Milani. Askujt nuk do t’i duhet të shpenzojë një shifër të tillë dhe kjo për faktin e thjeshtë se shoqëria nuk është në shitje, por në dritën e deklaratës së fundit të dhënë për agjensinë italiane të lajmeve ANSA nga Barbara Berlusconi, e cila hodhi poshtë lajmin për shitjen e 51 % të aksioneve të Milanit biznesmenit nga Singapori  Peter Lim për 300 milionë euro mjafton të bësh një ushtrim të thjeshtë matematikor për të nxjerrë këtë rezultat.

“Shifrat që janë shfaqur në media nuk janë në të njëjtën linjë me vlerën e klubit,– deklaroi Lady B, – 300 milionë euro përfaqësojnë rreth 30 % të Milanit, dhe sigurisht që jo 51%  të tij.”   

Pra për të të arritur te 100% mund të rrumbullakoset shifra 1 miliard. Barbara Berlusconi veç të tjerash përgënjeshtroi interesimin e Peter Lim, për blerjen e një pakete aksionesh të Milanit. “Janë të pabazuara” tha administratorja e deleguar duke ju referuar spekulimeve në lidhje me mandatin nga Singapori.

E bija e presidentit të Milanit ndodhet në Abu Dhabi për misionin e saj të parë jashtë vendit në cilësinë e zëvendëspresidentes dhe administratores së deleguar të Milanit. Objektivi është që të verifikojë mundësinë e një partnerishipi dhe zhvillimeve komerciale. Në Emiratet e Bashkuara Arabe ndodhet edhe drejtori i marketingut Jaap Kalma dhe përgjegjësi i sponsorizimeve dhe shitjeve Mauro Tavola. Të mërkurën delegacioni do të shkojë në Dubai për të takuar krerët e Fly Emirates.

Në tavolinë do të jetë rinovimi i kontratës që skadon në vitin 2015 për sponsorizimin e fanellës së Milanit dhe nuk përjashtohet që të preket dhe argumenti për ndërtimin e stadiumit të ri.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/