Skënderbeu mbetet skuadra më e fortë e futbollit shqiptar dhe pavarësisht kontestimeve për mënyrën e rezultateve të arritura, statistikat flasin për një superskuadër, që në 2012 ka regjistruar një ecuri fantastike. Që nga ndeshja e parë e këtij viti më 8 shkurt ndaj Pogradecit, korcarët kanë regjistruar 43 ndeshje midis kampionatit, Kupës, Superkupës dhe Champions League. Kampionët kanë një ecuri mbresëlënëse me 31 fitore, 6 barazime dhe po kaq humbje. Nëse këto rezultate do ti llogarisim me vlerën e tre pikëve atëhere Skënderbeu ka grumbulluar në total për vitin 2012, 99 pikë me një mesatare prej 2.3 pikë për ndeshje. Humjet e Skënderbeut janë të pakta dhe lehtësisht të evidentueshme.

 

Dështimi i parë në këtë vit kalendarik erdhi në Vlorë, në sfidën e vlefshme për Kupën e Shqipërisë më 14 mars me një rezultat të pastër 0-3. Pak më shumë se dy javë më pas vjen humbja e vetme në shtëpi për 2012, dhe ishte Teuta që triumfon me një gol të realizuar nga Cota. Nga ky rezultat Skënderbeu reagon me disa fitore radhazi duke triumfuar mbi Lacin, Kastriotin dhe Tiranën. Humbja e tretë vjen sërish në një fushë të nxehtë, në Vlorë më 22 prill me rezultatin minimal 1-0. Megjithatë kjo humbje nuk prishi rrugëtimin e Skënderbeut që mundën të ruanin titullin kampion në përfundim të kampionatit.

Por fundi i sezonit sjell një tjetër humbje pasi më 17 maj në Qemal Stafa humbet finalen e Kupës së Shqipërisë të fituar nga Tirana. Rikthimi në fushë është i mirë pasi kampionët marin fitoren e parë në Champions League ndaj Debrecenit me rezultatin 1-0, një fitore që mund të kishte qënë edhe më e thellë. Por sfida e kthimit dhuron një humbje të hidhur që shoqërohet me eleminim në Hungari me rezultatin 3-0. Humbja e fundit vjen sërish nga Tirana që në finalen e Superkupës triumfon 2-1, duke u bërë kështu i vetmi ekip që mposht Ujqërit e Dëborës dy herë brenda një viti. Impresionuese janë dhe shifrat e golavë pasi korcarët kanë shënuar 88 dhe pësuar 35 gola në 2012, duke realizuar një mesatare shënimi prej 2 golash për ndeshje.