24 dhjetor 2014 –  Për të kuptuar fortësinë e një kampionati dhe bukurinë e tij duhen kthyer sytë nga shifrat. Koncepti i të bukurës është variabël në sytë e kujtdo por të qënurit kampionati më i luftuar, e vendosin statistikat. Me mbylljen e gjysmës së kampionatit kemi 4 skuadra në garë për titullin kampion me diferencë 3 pikë nga vendi i parë në të katërtin. Për më tepër nuk kemi diferenca të frikshme në përballjet direkte, por edhe pikë të lëna ndaj skuadrave në letër më të lehta. Në 18 javë kampionati, ku janë luajtur 90 ndeshje janë realizuar 166 gola, me një mesatare 1.84 gola për ndeshje, duke u regjistruar 18 rezultate të ndryshme. Janë realizuar 74 fitore, prej të cilave 28 nga skuadrat udhëtuese dhe 16 barazime. Java më produktive është e 13-të me 17 gola të realizuara për një mesatare 3.4 gola për ndeshje.

Në të njëjtën javë është regjistruar edhe fitorja më e thellë në këtë kampionat, 6-0 e Skënderbeut ndaj Apolonisë. Ndërsa java me më pak gola të realizuara është e 4 me 4 gola për një mesatare 0.8 gola për ndeshje. Rezultati më i përsëritur në këto 90 ndeshje është 1-0, që ka rezultuar i tillë plot 20 herë. Vendin e dytë përsa i përket rezultatit teknik më të përsëritur është 2-0 dhe 0-1 me nga 13 ndeshje që në fund kanë regjistruar këtë rezultat teknik. Barazimi më i përsëritur është ai pa gola, në 10 ndeshje të dy fazave të para, ndërsa fitorja më e thellë e përsëritur është 3-0 në 7 takime. Në tre ndeshje sfidat kanë përfunduar me 6 gola të realizuara, ku fitores së Skënderbeut 6-0 ndaj Apolonisë i shtohet fitorja 1-5 e Teutës ndaj Elbasanit dhe suksesi 4-2 i Tiranës ndaj Teutës. E veçantë ka qenë java e 5 që ka regjistruar në të gjitha takimet fitoren 2-0, ku në njërën prej tyre e ka arritur skuadra udhëtuese, pikërisht Flamurtari në sfidën ndaj Elbasanit.