Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore GeroScience sugjeron se stërvitja me pesha mund të ketë efekte mbrojtëse për trurin, veçanërisht tek të moshuarit me dëmtime të lehta mendore.

Në kërkimin e udhëhequr nga studiuesja Ribeiro, morën pjesë 44 të rritur mbi moshën 55 vjeç, të ndarë në dy grupe: njëri grup ushtroi dy herë në javë me rritje graduale të ngarkesës, ndërsa grupi tjetër nuk bëri asnjë lloj aktiviteti fizik. Pas 6 muajsh, ata që kishin ndjekur stërvitjen treguan përmirësim të ndjeshëm në kujtesën verbale dhe në zona të trurit të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit, ndërsa grupi tjetër shfaqi përkeqësim.

Për më tepër, pesë persona nga grupi i stërvitjes nuk kishin më shenja të dëmtimit mendor në fund të studimit – një tregues premtues për ndikimin pozitiv të ushtrimeve në trurin e të moshuarve. Sipas Ribeiro, stërvitja ndihmon në reduktimin e inflamacionit, përmirësimin e qarkullimit të gjakut në tru dhe rritjen e faktorëve që mbrojnë dhe rigjenerojnë neuronet.

Ekspertët Dr. Gary Small dhe Dr. David Cutler theksojnë se ky studim përforcon provat e mëparshme mbi rëndësinë e aktivitetit fizik në funksionin mendor. Ata këshillojnë që ushtrimet të bëhen nën mbikëqyrje profesionale, për të shmangur dëmtimet, por nënvizojnë se përfitimet janë të mëdha edhe në moshë të thyer.