Kur stoku i dosjeve në Gjykatën e Apelit ka mbërritur në 48 mijë çështje që presin, Këshilli i Lartë Gjyqësor ndërhyn sërish duke shtuar listën e çështjeve që duhet të shqyrtohen me prioritet dhe në mënyrë të përshpejtuar.
Në kategorinë e listës së dosjeve civile që prej vitesh presin, KLGJ ka vendosur të shtojë si dosje për të cilat qytetarët mund të kërkojnë gjykim të përshpejtuar edhe paditë e pronësisë që lidhen me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, çështjet me objekt mbrojtjen e mjedisit dhe gjykimet kolektive për mbrojtjen e konsumatorit.
Më herët, KLGJ kishte ndërhyrë me një tjetër vendim, ku i jepet të drejtë qytetarit të kërkojë përshpejtim, pasi zvarritja sjell pasoja të rënda për palët gjatë dhënies së drejtësisë, duke renditur si prioritet gjykimet ku palë janë të miturit, kërkesat për detyrimin e ushqimit, të kujdestarisë, dëmshpërblimet dhe kontratat e punës.
Me ndërhyrjen e re, në kalendarin e kërkesave për përshpejtim shtohet edhe drejtësia mjedisore, që përkon me hapjen e kapitullit 27, i cili ka në fokus përshpejtimin e reformave në fushën e mjedisit dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Ky vendim i KLGJ vjen në kohën kur të gjitha gjykatat janë përmbytur nga backlog-u.
Aktualisht, Gjykata e Apelit ka 41 gjyqtarë nga 78 që duhet të ishin. Ndërsa po vërehet fenomeni i kërkesave për përshpejtim nga qytetarët, por këto kërkesa po krijojnë stok më vete.
Disa herë KLGJ është munduar të gjejë zgjidhje se si do ta evitojë stokun, por pa rezultat.





