Pak javë më parë, studentja e UAMD-së, Xhulia Kurti u rendit e dyta në botë në konkursin prestigjioz IAA mobilitython, i cili këtë vit u zhvillua në Mynih, Gjermani.

Pas kësaj arritjeje mjaft domethënëse, për studentet e apasionuar ndaj teknologjisë, vjen një surprizë e bukur.

Miliarderi Bill Gates, bashkëthemelues i Microsoft-it, i ka dhuruar librin e tij (ende të pa dalë në qarkullim) , së bashku me një mesazh përgëzimi për suksesin e merituar, që arriti studentja durrsake në konkursin ndërkombëtar të teknologjisë. Xhulia Kurti bëhet kështu shqiptarja e parë që merr librin e njërit prej më të pasurve të botës, “Si të evitojmë shkatërrimin klimaterik”.

Lajmi bëhet i ditur nga babai i saj, ish-gazetari Syrja Kurti, që njëkohësisht, përmes një statusi në rrjete sociale, nënvizon faktin se një miliarder përgëzon Xhulian, ndërsa asnjë autoritet në këtë vend nuk i ka thanë: Faleminderit!

“Zyrtarëve të këtij vendi nuk i hyjnë në punë të mençurit, por vetëm idiotët. Flini, flini gjumë!”,- shkruan ndër të tjera babai i studentes.

Arritja mjaft e rëndësishme e Xhulias, u bë publike përmes një postimi që UAMD bëri në rrjete sociale më datë 14 tetor, ndërkohë që u pasqyrua edhe në “DurrësLajm”, ku me dhjetëra komentues, komplimentonin arritjen e kësaj vajze të re.

Por përtej vëmendjes së universitetit ku ajo studion dhe medias lokale, suksesi ndërkombëtar i Xhulias, për fat të keq, kaloi pa u vënë re.

Në konkursin ndërkombëtar, Xhulia prezantoi një projekt të rëndësishëm, që mbështet teknologjinë pa WiFi. Për fazën finale organizatorët përzgjodhën 26 konkurentë, nga të cilët vetëm dy projekte u shpallën fitues. Mes tyre edhe ai i Xhulias.

Synimi i prototipit është i thjeshtë: në momentin kur mbeteni pa WiFi dhe ju duhet të përdorni një program/aplikacion të çfarëdoshëm , Xhulia mundëson lidhjen përmes sistemit server të produktit që tashmë ka prodhuar.

Postimi i plotë i Syrja Kurtit:

Bill Gates porsa i dhuroi librin e tij te fundit Xhulias se bashku edhe me nje mesazh pergezimi per suksesin e arritur.. Xhulia eshte shqiptarja e pare qe e ka marre, (kete ja cileson ai ne mesazhin e derguar) sepse libri akoma nuk ka dale ne qarkullim dhe pastaj ai me shume i dhuron librat e tij atyre qe deshiron se sa i shet ne publik. Ndersa ketu ne kete vend akoma nuk i ka thene askush faleminderit. Zyrtareve te ketij vendi nuk i hyjne ne pune te mencurit, por vetem idiotet. Flini, flini gjume!