Dashuria, me të gjitha emocionet e saj – rrahjet e shpejta të zemrës, “fluturat në stomak” dhe shpërqendrimi i vazhdueshëm – duket se prek më shpejt burrat sesa gratë. Ky është përfundimi i një studimi të ri të publikuar nga Science Alert, i cili është kryer nga një ekip studiuesish në Australi dhe Zelandën e Re.

Studimi analizoi të dhëna nga një anketë me 808 të rinj të moshës 18-25 vjeç, të gjithë të dashuruar në momentin e studimit. Të dhënat u mblodhën nga 33 vende të ndryshme, përfshirë Evropën, Amerikën e Veriut dhe Afrikën e Jugut. Sipas antropologut Adam Bode nga Universiteti Kombëtar Australian (ANU), qëllimi ishte të kuptohej nëse gjinia biologjike ndikon në mënyrën se si përjetohet dashuria romantike.

Përmes pyetësorëve që vlerësonin kohën kur nisi ndjenja e dashurisë, intensitetin, numrin e herëve që kishin rënë në dashuri dhe shkallën e obsesionit me partnerin, studiuesit zbuluan disa tendenca të qarta:

  • Meshkujt bien në dashuri mesatarisht një muaj më herët se femrat.
  • Ata raportuan gjithashtu se dashurohen më shpesh, por janë pak më pak të përkushtuar.
  • Gratë nga ana tjetër përjetojnë ndjenjën më intensivisht dhe priren të mendojnë në mënyrë më obsesive për partnerin.
  • Rreth 30% e burrave thanë se ishin dashuruar përpara se marrëdhënia të zyrtarizohej, krahasuar me më pak se 20% të grave.

Një tjetër aspekt interesant ishte ndikimi i barazisë gjinore. Në vendet ku barazia gjinore është më e lartë, njerëzit raportojnë më pak përkushtim në marrëdhënie dhe bien më rrallë në dashuri, çka sugjeron se edhe normat shoqërore luajnë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si përjetojmë dhe shprehim ndjenjat.

Ky studim i publikuar në revistën Biology of Sex Differences hap rrugën për kërkime të mëtejshme rreth ndikimit të faktorëve biologjikë dhe kulturorë në dashurinë romantike.