Një studim i fundit ka zbuluar se puna nga shtëpia mund të ndikojë negativisht në shëndetin e të rinjve, duke ulur ndjeshëm nivelin e aktivitetit fizik të përditshëm. Sipas kërkuesve, të rinjtë që punojnë nga shtëpia bëjnë mesatarisht 30 minuta më pak aktivitet fizik në ditë, krahasuar me ata që shkojnë fizikisht në vendin e punës.

Studimi është bazuar në të dhëna të mbledhura nga një anketë kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar, ku morën pjesë të rinj të moshës 16 deri në 30 vjeç. Vullnetarët raportuan statusin e tyre të punës dhe nivelin e ushtrimeve fizike që bënin në baza të rregullta, duke përfshirë ecjen, çiklizmin apo aktivitetet intensive si ngritja e peshave dhe aerobiku.

Rezultatet treguan se ata që punonin në zyrë realizonin rreth 28 minuta më shumë aktivitet fizik të moderuar në ditë, ndërsa ata që punonin nga shtëpia humbisnin rreth 32 minuta të tilla.

Ndryshimi ishte veçanërisht i dukshëm tek të rinjtë me profesione gjysmë-rutine ose rutinë, si shoferë, parukierë, kamarierë dhe pastrues. Ndërsa ata me punë menaxheriale apo profesionale shfaqën më pak ndryshime në sjelljen e tyre fizike.

Dr. Eleanor Winpenny, autore kryesore e studimit, thekson se është thelbësore të ruhet një stil jetese aktiv, pavarësisht vendit ku punohet:

“Ata që punojnë nga shtëpia mund të përfshijnë aktivitete të thjeshta si një shëtitje para ose pas punës, apo gjatë pushimeve”.

Studimi, i publikuar në International Journal of Behavioral Nutrition and Physical Activity, nënvizon nevojën për më shumë ndërgjegjësim rreth ndikimit të punës nga shtëpia në mirëqenien fizike dhe të inkurajohen mënyra alternative për të qëndruar aktiv gjatë ditës.