Gjergj Kastrioti Skënderbeu është zgjedhur nga portali SiliconIndia si njëri ndër pesë gjeneralët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Portali SiliconIndia e vendos heroin tonë kombëtar në vend të katërt, duke lënë pas mbretin hun Atila.
Portali SiliconIndia është një 'network' i mijëra specialistësh të fushave të ndryshme, të cilët japin kontributin e tyre në zgjedhjen e sfidave nga më të ndryshmet.
Ja renditja e pesë strategëve më të mëdhenj ushtarakë të njerëzimit:
1. Aleksandri i Madh
Mbreti i Maqedonisë dhe pushtuesi i Perandorisë Persiane, Aleksandri i Madh konsiderohet si një prej gjenive ushtarakë më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ai ishte frymëzim edhe për të tjera pushtime të mëvonshme. U lind në kryeqytetin e Maqedonisë së lashtë, në vitin 356 pes. Aleksandri ishte biri i Filipit, mbretit të Maqedonisë, dhe Olimpias, princeshës së Epirit. Pavarësisht mosmarrëveshjeve, ai e udhëhoqi ushtrinë në fitore të njëpasnjëshme në territoret persiane, në Azinë e Vogël, në Egjipt dhe nuk pësoi asnjë humbje. Fitorja më e madhe e tij ishte Beteja e Gaugamelas, që tani ndodhet në veri të Irakut, në vitin 331 pes. Mbreti i ri i Maqedonisë sundoi Azinë e Vogël dhe u bë faraon i Egjiptit dhe mbret i madh i Persisë kur ishte vetëm 25 vjeç.
2. Napoleon Bonaparti
Lideri ushtarak francez dhe perandori Napoleon Bonaparti ishte një nga sundimtarët më të mëdhenj që ka njohur bota. Ai njihet edhe si Napoleoni I dhe pushtoi shumicën e Evropës në fillim të shekullit XIX. Ai lindi në Korsikë dhe shumë shpejt ngjiti shkallët ushtarake gjatë Revolucionit Francez. I mprehtë, ambicioz dhe një strateg ushtarak, Napoleoni udhëhoqi me sukses beteja ndaj koalicioneve të ndryshme të vendeve evropiane dhe zgjeroi perandorinë. Megjithatë, pas një pushtimi katastrofik francez të Rusisë në vitin 1812, Napoleoni abdikoi nga froni dy vjet më vonë dhe u internua në ishullin Elba. Në vitin 1815 u kthye për pak kohë në pushtet. Por, pasi humbi në Betejën e Vaterlosë, abdikoi sërish dhe u dërgua në ishullin e Shën Helenës, ku vdiq në moshën 51-vjeçare.
3. Genghis Khan
Një luftëtar dhe sundimtar i madh mongol, Genghis Khan e nisi nga asgjëja për të krijuar një nga perandoritë më të mëdha që ka njohur njerëzimi. Pasi bashkoi fiset nomade në rrafshnaltën e Mongolisë, ai pushtoi hapësira të mëdha në Azinë Qëndrore dhe në Kinë. Kur ishte vetëm 20 vjeç, nisi të ndërtojë një ushtri të madhe me qëllim shkatërrimin e fiseve individuale dhe bashkimin e tyre nën sundimin e tij. Ai ishte i suksesshëm dhe Perandoria Mongole u bë më e madhja në botë dhe zgjati deri në vdekjen e tij. Suksesi i shpejtë i ushtrisë mongole i dedikohet kryesisht taktikave brilante ushtarake të tij, si edhe faktit se kuptonte motivimet e armiqve. Shumë njerëz u masakruan gjatë pushtimeve të tij, megjithatë ai lejoi lirinë fetare për subjektet e pushtuara, hoqi torturën dhe krijoi të parin sistem ndërkombëtar të postave.
4. Gjergj Kastrioti Skënderbeu
I vlerësuar si hero kombëtar në Shqipëri, Skënderbeu ishte një prej sundimtarëve ushtarakë që arriti të dëbojë dhe t'u rezistojë turqve otomanë nga vendi i tij për mbi dy dekada, duke ndalur përpjekjet e Turqisë për të përhapur islamin në Evropë, përpjekje për të cilën është vlersuar si mbrojtës i krishtërimit. I rrëmbyer nga turqit otomanë kur ishte i vogël, ky luftëtar shqiptar i lirisë u rrit nën islam dhe u trajnua si një gjeneral brenda radhëve të ushtrisë turke. Si komandant i princërve vendas në Shqipëri, ai shkaktoi një revoltë në vendin e tij në vitin 1444 dhe arriti të ndalë përpjekjet e shumta të otomanëve për të marrë dhe bashkuar Shqipërinë duke luftuar për pavarësi.
5. Atila
Mbreti i shekullit V në Perandorinë Hune, Atila është një nga sundimtarët më të suksesshëm barbarë. Ai bashkoi fiset e mbretërisë hune dhe thuhej se ishte një sundimtar i drejtë i popullit të tij. Ai njihej megjithatë si agresiv dhe i pamëshirshëm gjatë fushatave për zgjerimin e perandorisë së tij. Atila shkatërroi toka të tëra nga Deti i Zi deri në Detin Mesdhe dhe mbolli frikë në të gjithë Perandorinë Romake. Ai nuk arriti megjithatë kurrë që të pushtonte Konstandinopojën dhe Romën, dhe la pas një familje të ndarë kur vdiq në vitin 453.





