DURRËS, 15 mars 2013 –Pako të thjeshta me fara po ndihmojnë në shndërrimin e jetës në Evropën Lindore, shkruan gazeta britanike “Krisçën Tudej” (Christian Today).
Një organizatë humanitare ndërkombëtare me seli në Durrës po u jep familjeve në të gjithë zonën farëra dhe vegla si dhe po u bën trajnim.
Ato mund të rrisin kultura bujqësore duke bërë të gjithë ndryshimin midis ushqimit të mjaftueshëm të përditshëm dhe urisë.
Sonila Korra jeton me të shoqin dhe pesë fëmijë në Sukth.
Ashtu si shumë familje, kanë tokën e tyre, por kishin pak para për të blerë farërat dhe pajisjet e nevojshme për të punuar në bujqësi.
Familja ishte nën trysninë e varfërisë dhe papunësisë, madje pjesëtarët e familjes së bashku me Sonilën ishin të detyruar të rrëmonin në grumbujt e plehrave që të gjenin ndonjë gjë për të shitur.
Përveç vështirësive kishte dhunë në familje, kurse fëmijëve u mungonin lapsat dhe librat që u duheshin në shkollë.
“Përballimi i jetesës është shumë i vështirë, kur nuk ke asgjë t’u japësh për të ngrënë fëmijëve”, shpjegon Sonila.
Kutia e thjeshtë me farëra që u dha organizata humanitare ndërkombëtare ka ndryshuar jetën e tyre.
Jo vetëm që kanë më shumë ushqim në tryezë, por është bashkuar familja dhe për Sonilën në veçanti ky fakt është burim krenarie të madhe.
“Ne punojmë së bashku si një skuadër tani”, thotë ajo.
“Nuk jemi familja që kemi qenë. Farërat po ndryshojnë marrëdhëniet, sjelljen dhe jetën tonë”.
Nëpërmjet nismës "Farërat e Shpresës", po ndihmohen familjet e të tjera si Korra për të punuar tokën që kanë duke i shpëtuar kështu nga uria dhe varfëria.
Aktualisht familja Korra siguron vetë ushqimin e mjaftueshëm dhe fëmijët mund të shkojnë në shkollë çdo ditë duke e ditur se kur vijnë në shtëpi, do të kenë për të ngrënë.
“Asnjëherë nuk kemi qenë kaq mirë si tani”, thotë Sonila.
“Unë nuk jam Sonila që kam qenë”, shprehet kjo grua.
Ajo shton: “Farërat e Shpresës na dhanë gjithçka që nevojitet për të kultivuar tokën dhe fryti i punës sonë të vështirë është në tryezë. Falënderojmë Zotin”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





