Një sulm i rëndë me motive antisemitike ka tronditur Londrën në orët e para të mëngjesit të së hënës (23 mars), ku disa ambulanca vullnetare të komunitetit hebraik janë djegur qëllimisht jashtë një sinagoge në zonën e Golders Green, një lagje e njohur për komunitetin e saj të madh hebraik.

Ngjarja po trajtohet si krim urrejtjeje me bazë antisemitizmin, raporton CNN. Dhjetëra zjarrfikës ndërhynë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa disa banorë u evakuuan për arsye sigurie.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:36 të mëngjesit pranë sinagogës Machzikei Hadath.

Autoritetet konfirmuan se katër nga gjashtë ambulancat e organizatës janë shkatërruar, duke theksuar se ato ishin objektiv i drejtpërdrejtë i sulmit. Deri më tani, nuk ka të arrestuar, por policia është në kërkim të tre të dyshuarve.

Banorët lokalë raportuan shpërthime të shumta, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga bombolat e gazit brenda ambulancave. Dëshmitarët e përshkruan ngjarjen si tronditëse dhe të frikshme.

Golders Green është një nga qendrat kryesore të jetës hebraike në Londër, me shumë sinagoga, shkolla dhe restorante kosher. Përfaqësues të komunitetit shprehën shqetësim se ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj tyre.

Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi ashpër incidentin, duke e cilësuar atë si një “sulm tronditës antisemitik me zjarrvënie” dhe duke theksuar se urrejtja ndaj hebrenjve nuk ka vend në shoqërinë britanike. Ai shtoi se autorët duhet të përballen me forcën e plotë të ligjit.