Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka rritur nivelin zyrtar të kërcënimit nga terrorizmi nga “i konsiderueshëm” në “të rëndë”, pas një sulmi me thikë në veri të Londrës, ku u plagosën dy burra hebrenj. Policia e ka cilësuar ngjarjen si një akt terrorizmi.
Niveli “i rëndë” përfaqëson shkallën e dytë më të lartë në sistemin pesë-nivelësh dhe nënkupton se agjencitë e inteligjencës e konsiderojnë një sulm tjetër shumë të mundshëm brenda gjashtë muajve të ardhshëm.
Zyrtarët në Westminster paralajmëruan se vendi po përballet me një rritje alarmante të antisemitizmit dhe u zotuan për forcimin e masave të sigurisë për komunitetet hebraike, pas një serie incidentesh që kanë shkaktuar shqetësim të madh.
Kryeministri Keir Starmer deklaroi se qeveria do të bëjë gjithçka për të luftuar urrejtjen, pas sulmit të ndodhur në zonën Golders Green, e njohur si një nga qendrat kryesore të komunitetit hebre në Britani, ku mbetën të plagosur rëndë dy persona të moshës 34 dhe 76 vjeç.





