Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se pas bastisjeve të fundit në veri të vendit, të realizuara në lidhje me sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, janë konfiskuar armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme.

Kurti theksoi se gjatë këtyre operacioneve janë gjetur emblema ruse dhe serbe, që lidhen me strukturat e inteligjencës, ushtrisë dhe shërbimeve të sigurisë të Serbisë dhe Rusisë.

“Ky zbulim shqetësues tregon për përfshirjen e mundshme të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të ngushta në Serbi, të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një klime pasigurie në rajon”, tha Kurti, duke shtuar se ky është një zhvillim që nuk mund të injorohet.

Kurti vazhdoi duke theksuar se për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në Ballkan, është e nevojshme një përgjigje e unifikuar dhe e vendosur ndaj aktiviteteve terroriste dhe destabilizuese që, sipas tij, kërcënojnë sigurinë dhe vlerat demokratike në rajon.