Pas disa lajmeve që qarkulluan sot nëpër portale, për një shkarkim të mundshëm të Mentor Kikisë nga detyra e kryeredaktorit të edicionit të lajmeve të orës 15:00, në televizionin “Top Channel”, ka folur vetë gazetari. Në një prononcim për BalkanWeb, Kikia pohon se ndaj tij nuk ka një shkarkim zyrtar, por vetëm një komunikim verbal nga drejtori i informacionit në “TCH”, Sokol Balla.
“Kam pasur vetëm një komunikim verbal që nuk do të merrem më me edicionin e lajmeve të orës 15:00. Nuk kam komunikim zyrtar për ndërprerje të marrëdhënies së punës. Komunikimi më është bërë nga drejtori i informacion Sokol Balla”, është shprehur Kikia.
Ndonëse mediat shkruajnë që shkak për shkarkimin e tij mund të jetë bërë përplasja e fundit me mjeken Anika Dokle, të cilën e akuzoi publikisht për korrupsion, Kikia sqaron për Balkanëeb, se në komunikimin me eprorin e tij një gjë e tillë nuk është përmendur fare. “Debati im me mjeken nuk është përmendur fare nga askush”, tha ai.
Mentor Kikia mban postin e kryeredaktorit të lajmeve në Top Channel që prej majit të vitit 2001 kur dhe daton themelimi i kompanisë gjigante mediatike.





