Koha sërish për Superioren, pas përcaktimit të finalistëve të Kupës së Shqipërisë. Të shtunën rikthehet kampionati dhe sytë janë nga Tirana, që do kërkojë të marrë tre pikët kundër Flamurtarit. Është detyrim për bardheblutë diçka e tillë. Titulli kampion kalon nga kjo ndeshje, që nis prej orës 17:45.Në të njëjtën orë luhet edhe në Gjirokastër, aty ku Luftëtari i vendit të fundit pret Skënderbeun. E diela pastaj ka vetë finale. Ndeshja e parë është ajo mes Bylisit dhe Laçit. Ballshiotët, të zhgënjyer pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, do tentojnë të mposhtin kurbinasit.Këta të fundit synojnë të ruajnë vendin e tretë dhe sigurimin e pjesëmarrjes në kupat e Europës. Tre orë më pas, Kukësi do tentojë t’i shtyjë festën Tiranës dhe për këtë duhet të mundë Vllazninë në Shkodër. Kuqeblutë do tentojnë të mos dalin pa pikë, për të shpresuar në lënien e vendit të tetë në renditje.Takimi tjetër është një finale për Europën. Teuta, nëse mund Partizanin, siguron matematikisht pjesëmarrjen në kupat e Europës. Triumfi i durrsakëve i vlen shumë edhe Laçit, nëse merr të paktën një pikë në Ballsh.
Kategoria Superiore – Java 34
E shtunë, më 18 korrik 2020
Ora 17:45 | Luftëtari-Skënderbeu
Ora 17:45 | Tirana-Flamurtari
E diel, më 19 korrik 2020
Ora 17:45 | Bylis-Laçi
Ora 20:45 | Vllaznia-Kukësi
Ora 20:45 | Teuta-Partizani