Shqipëria u mund me rezultatin 0-1 nga Gjeorgjia në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve, e vlefshme për Grupin B1.Takimi i luajtur në “Arenën Kombëtare” foli për miqtë, me trajnerin Sylvinho që u shpreh se kjo sfidë meritonte të mbyllej në barazim.Në konferencën pas ndeshjes, ai u shpreh se Gjeorgjia ishte një skuadër tepër e fortë, teksa tashmë vëmendja është te dy ndeshjet e tetorit me Çekinë dhe Gjeorgjinë, të dyja në transfertë.Tekniku brazilian gjithashtu u ndal dhe te ndryshimi në formacion nga ndeshja me Ukrainën, ku la në stol Laçin, duke aktivizuar Arbër Hoxhën nga minuta e parë.

“Ka qenë një ndeshje e vështirë fizike dhe taktike për të dyja skuadrat. Kam thënë dhe më përpara që ky është një grup shumë i vështirë, grup i ekuilibruar. E kam thënë dhe më përpara që ky ekip është shumë mirë i organizuar dhe stërviten mjaft mirë. Të njëjtën gjë ka thënë dhe trajneri i tyre për ekipin tonë. Kujtojmë që gjatë Europianit, ata ishin të vetmit nga ekipet që ne jemi në këtë grup që u kualifikuan nga grupi. Luajtën me Spanjën, mundën Portugalinë. Është një skuadër e mirë fizike, ka lojtarë shumë të fortë. Barazimi do të ishte një rezultat mjaft i mirë. Pësuam një gol dhe kjo e bën më të vështirë të rikthehesh në lojë, por të dyja skuadrat kanë bërë një lojë fizike dhe taktike mjaft të mirë.

Ne duhet të ecim përpara. Në tetor na presin dy transferta të vështira. Natyrisht që humbja është ajo që më mërzit më tepër. Ne kishim gjuajtje, që ishin nga jashtë zone, por nuk shkuan në portë. Futbolli është i tillë, preciz dhe kjo është gjë e mirë. Kujtoj ndeshjen me Republikën Çeke, në 15 minutat e fundit, Bajrami kishte një mundësi dhe shënoi gol. Ndonjëherë mund të kesh disa gjuajtje, por asnjëra prej tyre nuk shkon brenda portës, ndonjëherë ke vetëm një mundësi dhe ajo shkon në rrjetë. Ishte një ekip që e kontrolloi mirë lojën. Nuk mund t’i them asgjë lojtarëve. Sigurisht që rezultati më i mirë i mundshëm do të kishte qenë barazimi, por që shkojmë përpara dhe mund të bëjmë më mirë në tetor. Ata kishin një rast, bën një goditje të bukur dhe shënuan gol.

Ritheksoj që për mua kjo ndeshje duhet të ishte 0-0, por kur pëson një gol, rezultati është i tillë. Nuk mund ta gjykojmë skuadrën nga një ndeshje. Mendoj se të dyja ekipet kemi luajtur, kemi mbrojtur, nuk kemi pasur shumë hapësira për të avancuar. Ka qenë shumë e vështirë për të hyrë. E mendova që ekipi i parë që shënon, atëherë ndeshja është e mbaruar. Trajneri i tyre ka bërë një punë mjaft të mirë me skuadrën. E ritheksoj që është hera e parë që pësojmë gol pas një kohe të gjatë në “Arenën Kombëtare”. A ka munguar diçka në këtë skuadër? Nuk e mendoj kështu. Thjesht nuk kemi pasur hapësirë. Jemi munduar që të pengojmë lojtarët e tyre për të mos shënuar, por situatat janë të tilla.

Ndeshja me Ukrainën ishte pak më ndryshe dhe në këtë rast Laçi ishte pak i lodhur nga ai takim. Ishte dhe një mundësi për t’i dhënë pak hapësirë të rikuperohej dhe për t’i dhënë një mundësi Hoxhës për të nisur nga minuta e parë. Laçi është një lojtar shumë bujar, i cili harxhon shumë energji duke vrapuar shumë. Ne kemi disa lojtarë shumë të rëndësishëm në ekip që dhe ata kanë nevojë për kohë për t’u rikuperuar. Vrapojnë shumë, harxhojnë shumë energji. Ne menduam që Hoxha, meqë është një lojtar që luan mirë një kundër një mund të krijonte hapësire dhe mund të bënte diçka. Në pjesën e parë, 15-20 minutat e para ka bërë shumë mirë. Ndërsa në pjesën e dytë ishte pak më i lodhur”, u shpreh Sylvinho.