Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka folur për zgjedhjet e bëra në listë dhe përgatitjet për sfidën ndaj Polonisë, duke theksuar besimin te grupi aktual dhe rritjen e skuadrës në tre vitet e drejtimit të tij në krye të kuqezinjve.“Jemi të bindur për lojtarët që kemi përzgjedhur. Janë lojtarë që ne kemi besim. Për ne, është krenari të përfaqësojmë skuadrën Kombëtare. Kemi parë ndeshjet kualifikuese të Botërorit të fundit. Kemi grumbulluar 26 lojtarë, duam më shumë lojtarë, por nuk mund t’i kemi të gjithë. Sa i përket cilësive të Seferit, mendoj se kemi lojtarë që na e mbushin fazën ofensive. I falënderoj të gjithë lojtarët që kanë qenë pjesë e Kombëtares, por jemi të bindur për ata që kemi grumbulluar.
Jemi rritur shumë, si Federatë, si ekip, si staf. Kemi bërë një rrugëtim të bukur në Europian, Nations League dhe tani kualifikueset e Botërorit. Polonia ka një ekip të mirë. Nuk janë mundur nga asnjë skuadër. Besoj se jemi rritur edhe ne, por edhe ata. Ne kemi lojtarë që kemi kënaqësi t’i shohim kur stërviten. Ndonjëherë, ne, si staf, jemi pak xhelozë për këta lojtarë të rinj. Jam shumë i lumtur që jam trajneri i kësaj Kombëtareje. Në ndeshjen ndaj Andorrës, pati një moment zhbllokimi të ndeshjes nga momenti kur u fut Bajrami në fushë dhe goli erdhi nga një lojë e bukur në skuadër. Unë kam një shprehje, ku them ne jemi një.
Pilo nuk është një lojtar 19 vjeç që nuk ka luajtur me një ekip të parë. Kemi kohë që kemi qenë pas tij. Naser Aliji, nga ana tjetër, ka një muaj që është rikthyer. Nuk mund të rrezikoj me një lojtar që nuk është në 100% e tij. E shoh si një mundësi që i jepet lojtarëve. Sa i përket Brojës, nuk e di ende, sepse ka një muaj e gjysmë që ka qenë jashtë fushave. Ka një javë që është rikthyer. Do të duhet t’i shohim në momentin kur janë në grumbullim. Është e rëndësishme që në fushë të futen ata lojtarë që mund të bëjnë mirë për ekipin. Ritheksoj edhe njëherë që edhe lojtarët që futen nga stoli mund të bëjnë po aq mirë sa ata që futen nga minuta e parë. Unë preferoj të flas për kundërshtarin e ardhshëm. Kemi riparë ndeshjet e fundit të Polonisë, është një skuadër që mbrohet shumë mirë. Ka 3-4 lojtarë që janë të aftë për të shënuar”, tha Sylvinho.





