TIRANË– Përfaqësues nga Shqipëria, Italia, Bosnjë- Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, pjesëmarrës në projektin e miratuar së fundmi, në kuadër të Cross Border IPA Adriatic, ku partnere kryesore është Bashkia e Tiranës, janë mbledhur në kryeqytetin shqiptar, për të diskutuar konkretisht lidhur me hapat që do të pasojnë për të çuar në realizimin e këtij projekti. 

Zv/Kryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, tha se shuma e dedikuar për këtë projekt është 2 milionë euro për të gjithë partnerët, ku 700 mijë euro janë për Bashkinë e Tiranës. 

Fondi i akorduar Bashkisë së Tiranës do të dedikohet kryesisht në asistencën teknike, mbështetjen, hartimin e planeve të biznesit, në trajnimet për këtë grup në nevojë dhe sigurisht do të jetë edhe pika kryesore, për të mbështetur e ngritur biznese sociale, biznese të cilat kanë lidhje me shtresat sociale më në nevojë, biznese të cilat do të promovojnë dhe do të nxisin sipërmarrjen në një kategori të caktuar individësh, si personat me aftësi të kufizuar, gratë që kanë qenë subjekt i dhunës, familjet më në nevojë etj, të cilët e kanë të pamundur që të operojnë vetë dhe të ofrojnë shërbimet e tyre në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, pa mbështetjen e pushtetit lokal. 

Brenda tre mujorit të parë të vitit të ardhshëm, bashkia do të fillojë me dy apo tre sipërmarrjet e para sociale dhe do ta shtrijë këtë në të gjithë Tiranën, duke vazhduar në vijim edhe me minibashkitë e tjera, përveç minibashkisë 9, e cila është një ndër partnerët kryesorë në këtë projekt. 

Nënkryetarja Tabaku theksoi se Bashkia e Tiranës është dhe do të mbetet partner i çdo qytetari në nevojë dhe do të ndihmojë edhe në rastet kur problematika e tyre nuk lidhet me Bashkinë, siç ishte rasti i konfliktit mes banorëve dhe CEZ, në Kombinat, ku me ndërhyrjen e Bashkisë u kthyen dritat, apo ai i një dite më parë në Laprakë. 

Sipas Tabakut, Bashkia e Tiranës do të jetë partner i çdo qytetari në nevojë dhe nuk do i përdorë kurrë problemet e qytetarëve për qëllime politike.