Me një pasion unikal vazhdon të punojë me sportin e tij të preferuar specialist i arteve marciale Fatmir Bardhoci. Ndonëse në polemikë të vazhdueshme me federatën analoge të këtij sporti, Bardhoci nën kujdesin e të cilit është shoqata “Bijtë e Shqipes” shtrin përpjekjet edhe në angazhimet ndërkombëtare. Nën drejtimin e tij janë një sërë kursesh të taekuondosë, ku stërviten me dhjetëra sportistë të moshave të ndryshme të cilët janë të aftë të përmbushin kërkesat cilësore të konkurimit.

Ditët e fundit “Bijtë e Shqipes” u ndodhën në një turne të hapur ndërkombëtar zhvilluar në Kroaci dhe u kthyen në Durrës me 7 medalje, duke përfshirë edhe të artat. Bilanci i përgjithshëm është më shumë se surprizë. “Bijtë e Shqipes” u treguan konkurues të denjë, duke merituar 2 medalje ari, 4 argjendi dhe 1 bronzi.

Në këtë turne ku morën pjesë 350 sportistë, përfaqësues nga shtetet e Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Sllovenisë, Republikës Çeke, Luksemburgut, Kroacisë dhe Shqipërisë, “Bijtë e Shqipes” morën një vlerësim nga më të mirët. Eris Balla dhe Alked Krashi vendosën në gjoksin e tyre medaljen e artë, ndërsa Orgito Braka, Jonad Kosova, Nardi Xhepi dhe Azel Kozeli të argjendit.

E vetmja medalje e bronzit kaloi për Amanta Kosovën. Ky prezantim krijon më shumë optimizëm për “Bijtë e Shqipes” dhe drejtuesin e saj pasionant Fatmir Bardhoci, për të guxuar si tani edhe në veprimtari të tjera për nderin e tyre dhe të këtij sporti në Durrës dhe vendin tonë.