Deputeti demokrat Flamur Noka vazhdon të përplaset me kryedemokratin Lulzim Basha, pas vendimit të këtij të fundit për largimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga Grupi Parlamentar i kësaj force politike në Kuvend.

Pas takimit me Bashën në selinë blu, Noka deklaruar se i ka thënë kryetarit të PD-së se nuk do të mund ta ndalojë mbledhjen e kongresit dhe kuvendin e partisë.

Noka akuzoi Bashën se po i bën presion kryetarëve të PD në rrethe, për t’i mbyllur derën Sali Berishës.

Edhe për deputetët e tjerë që kanë mbajtur krahun e Bashës, Noka tha se kanë qenë nën presion.

Deklarata e Nokës:

Ideri i opozitës të kapet pas të ashtuquajturës pro-amerikanizëm dhe të sulmojë bazën si anti-amerikane, ajo që i bëra me dije është se Kongresi i Partisë do të mblidhet, Kuvendi do të mblidhet, jo për të shqyrtuar ndonjë vendim të SHBA, por do të mblidhet kundër Lulzim Bashës, që është kryetar ilegjitim. Gjithçka është një proces, dhe askush në Republikën e Shqipërisë nuk mund të ndalojë vullnetin e anëtarëve të PD për t’u shprehur.

Nga informacionet që kemi ka disa ditë që ka filluar një tur takimesh me drejtues degësh, duke iu bërë shantazh, duke i presioniuar që të mos i hapin derën liderit të PD, Sali Berisha. Kjo nuk është vetëm e turpshme por është e neveritshme.

Unë kam 30 vjet në këtë parti, kam ardhur që fëmijë, po të ishte për interesat e mija…unë jam angazhuar në politikë për të mirën e gjithë shqiptarëve.

Asnjë përplasje, asnjë përçarje nuk do të ketë sepse shumica e demokratëve janë kundër vullnetit të shprehur të kryetarit të partisë. Kjo ishte arsyeja pse ai nuk u konsultua me institucionet dhe e mori vendimin natën. Foltorja po i bashkon demokratët. Kjo parti që është sot në drejtimin e Bashës nuk është fituese. Demokratët kanë nevojë për një lider që i çon drejt fitores.

Çdokush që ka dalë krah vendimit të Bashës është detyruar. Kanë dalë të zbehur, të venitur sepse asnjëri s’ka qenë pro atij vendimi.