Drafti i ri për tatimin mbi të ardhurat ndryshon afatet për lehtësitë fiskale, duke i shkurtuar ato.
Shkalla e tatim mbi fitimit 5% te kompanitë që kryejnë aktivitet në prodhimin dhe zhvillimin software pritet të zgjasë deri në vitin 2025.
Tatim mbi fitimin 5% për kompanitë e sektorit IT në projektligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat” i prezantuar në muajin dhjetor në konsultimet publike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikonte se përjashtimet tatimore për këtë sektor do të zbatoheshin deri në dhjetor 2029.
Së fundmi, draft i rishikuar parashikon zbatimin e kësaj lehtësie deri në fund të 2025-s. “Për personat juridikë, të regjistruar deri në 31 dhjetor 2022, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike për prodhimin apo zhvillimin e software-ve, tatimi mbi fitimin me normën 5% do zbatohet deri më 31 dhjetor 2025”, citohet në pikën ç të Nenit 69.
Shkalla e tatim fitimit 5% për kompanitë në fushën e prodhimit dhe zhvillimit të software-ve, u miratua në vitin 2018 dhe nisi zbatimin në 2019. Afati i zbatimit të lehtësisë fiskale parashikohej për 10 vjet.
7 janë kategoritë përfituese të lehtësisë fiskale, duke përfshirë aktivitetet për:
a) Dizenjim software-i. Këtu përfshihet analiza e kërkesave të sistemit software, projektimi i arkitekturës dhe projektimi i detajuar i sistemit software;
b) Zhvillim dhe mirëmbajtje sistemesh software. Këtu përfshihet programimi i sistemeve software, kodimi, instalimi, integrimi i të gjithë komponentëve, dokumentimi, identifikimi dhe korrigjimi i gabimeve, modifikimet (pas momentit që software-i është vendosur në operim), mirëmbajtja e të gjithë komponentëve, suporti i sistemit si një tërësi komponentësh, që, në funksionimin e tyre, realizojnë qëllimin e Zgjidhjes Informatike;
c) Testim software. Këtu përfshihet testimi i funksionaliteteve, të ngarkesës në punë, të performancës, të pranimit, të disponueshmërisë dhe të sigurisë së sistemit software;
ç) Dizenjim dhe zhvillim sistemesh të komunikimit. Këtu përfshihet analiza, planifikimi, projektimi, zbatimi, vendosja në punë dhe mirëmbajtja e sistemeve të komunikimit të rrjeteve të pajisjeve informatike (LAN/ WAN/ WLAN/ MAN/ SAN/ CAN);
d) Dizenjim dhe zhvillim sistemesh të sigurisë. Këtu përfshihet analiza e kërkesave të sigurisë së klientit, projektimi i arkitekturës, instalimet dhe konfigurimet e komponentëve, vendosja në punë, testimet e sigurisë dhe mirëmbajtja përkatëse;
dh) Zhvillim sistemesh migrimi. Këtu përfshihet transferimi i të dhënave dhe infrastrukturës përkatëse nga një teknologji e vjetër në një teknologji të re; e) Përmirësim/upgrade sistemesh informatike;
ë) Operimi, menaxhimi, suporti i përdorimit, trajnimi dhe auditimi teknik/informatik për sistemet software.
Norma e reduktuar e tatim mbi fitimin 5% zbatohet edhe te subjektet e certifikuar si agroturizëm, për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor dhe industrinë automotive. Lehtësia fiskale për këta sektorë parashikohet të vijoj të zbatohet deri më 31 dhjetor 2029 sipas draftit të MFE. /Monitor