Të 15-tët në një foto të Niko Kuranit

-Inati i Petrit Gumës dhe “bisha” Artan Hoxha

-Durrësi i detyrohet shumë këtij kalorësi të notit

-Noti për durrsakët mbeti vetë jeta e tyre

Nga BUJAR QESJA

Niko Kurani, gjigandi i notit durrsak dhe më gjërë, po përjeton ditë të vështira. Pas largimit nga jeta të djalit të vetëm Arbenit, para dy muajve e ca, iu dha edhe lamtumira e fundit të bashkëshortes së shkëlqyer Verushe Myshketa. E tash Nikos tonë, i duhet të përballojë në moshën 81 vjeçare, krejt i vetëm atë pjesë të të gjallit të tij që i ka taksur Zoti. Në aspektin moral, Niko Kurani rrethohet nga miqtë, shokët dhe të afërm të tjerë.

Por siç po duket, Nikos tonë i është gjetur pranë edhe një dukuri e pamenduar si faktor parësor. Kujtimet, mbresat nga jeta e larmishme dhe e paharruar e notit. Të enjten e 13 shkurtit 2020, në mëngjes më takon dhe më ofron për të parë një foto. Ai po se po, por edhe unë nuk dilja huq me emrat e një prej pamjeve shumë emocionuese që po ndiqja. Tek isha përqendruar tek fotoja, ndjej se po më lagej dora. Niko i fortë i notit, ishte bërë njësh me kujtimet e tij dhe nuk po i përmbante lotët. Me një ngashërim të lehtë, teksa përcillej shpesh nën efektin e lëngut të fytit, më thotë:

-Kujtime të bukura Bujar. Janë një pjesë e miqve të mi. Jeta ime është dhe mbetet noti. Frut i punës time përkushtuese, janë përgatitja i shumë notarëve të njohur, si legjenda të tilla si Hysen Haxhia dhe Petrit Guma, duke mos lënë pas edhe shumë e shumë emra të vajzave pikante të ujit durrsak.

Më befasoi Niko me një fakt, që se kisha dëgjuar. Protogonistë janë Petrit Guma dhe Artan Hoxha, intelektual i njohur. Që të dy ishin nxënës në shkollën 8 vjeçare “Maliq Muço”. Kampionati kombëtar i rradhës vinte pas dy javësh. Por siç ndodh në kësi rastesh, trajneri përqëndrohet vetëm tek notarët që ka në garë dhe për të tjerët e humb vëmëndjen. Dhe Hoxha nuk ishte në plan të garonte. Petriti dhe Artani ishin shokë të ngushtë dhe në shenjë reagimi, Guma mungon në stërvitje. Kjo e detyroi Nikon të shkonte në shkollë dhe të mësonte arsyjen. Ishte e qartë që Guma i njomë, kishte bërë një lloj bojkoti. Ai kërkonte që në kampionat të përfshihej edhe Artan Hoxha, ndonëse ai ishte më pak cilësor.

-Edhe sot e kësaj dite, jam shumë i befasuar me atë që ndodhi, tregon Niko Kurani. Në ditët në vijim më çfaqet tjetër Artan. Një ambicje e jashtëzakonshme, që nuk e kam ndeshur në asnjë notar. Artan Hoxha u bë “bishë” në provat. Brenda dy javësh më bindi që ta hedhë në garë dhe krijon atë çudi në kufijtë e të pabesueshmes. Dhe ishte notar i të katër stileve. U zgjidh një mosmarrveshje, u fitua një notar.

Jemi përqëndruar së bashku me Niko tek foto. Dhe fillojmë ta zbërthejmë. Është Kujtim Cankja. Këtë Josif Kocin, e njoh si aktor, por edhe si notar pasi garonte që kur ishte me Pogradecin. Tash së fundi u nda edhe nga jeta. Dhimbja na pushton në këtë çast. Mehmet Kikrri, kampion. Delfinist i fortë, por edhe krolist cilësor. Luan Rexha, djali i bejtexhiut popullor në Durrës Osman Rexha-edhe ky notar i hershëm i Durrësit. Agron Kollaku, një njeri i qetë, i urtë, por shumë punëtor. Edhe Agronin e humbëm para pak muajsh. E jeta kështu e ka. E kur kujtonim notarët që tani nuk i kemi më ndër ne, Nikoja kujtonte Verushen e tij, këtë sportiste të çquar të Durrësit, këtë fisnike shumë të respektuar, por që vdekja e djalit, notarit të talentuar Aben Kurani, e ligështoi deri në këto përmasa. E tani nënë e bir, janë “strehuar” në një banesë të përjetshme.

Mes lotësh dhe mallit, vazhdojmë të përmëndim një e nga një, notarët e fotos së 6 dhjetorit 2008. Vijmë tek Tomor Fishta. Një sportist dhe trajner race. Ndonëse jo notar i mirfilltë, Tomi që i ofrohet të 80-tave, gëzon një fizik të fortë, falë regjimit të tij të hekurt fizkulturor dhe sportiv. Fatmir (Fat) Murati energjik dhe vijmë tek Hysen Haxhia, kitrra i famshëm i zadrave dhe pishinave. Dhe këtë nofkë popullorë, këtij notari të njohur ia ka vendosur Niko Kurani. Gjigandi Haxhia, ishte një cironkë e vogël, me trup të brishtë dhe që noti i dha fuqinë e një njeriu të veçantë. Kitrra është historia e garimeve të gjata të notit durrsak. Vijmë tek vendi i Niko Kuranit. Çfarë klasi! Trupi i bëshëm, krahët si shqiponjë, forca e notimit, e bënin Niko Kuranin ta konsideroje si luanin e detit. Mjeshtër i Merituar i Sportit, Krenarinë e qytetit të Durrësit, simpatikun dhe fisnikun e Durrësit, duke e kthyer plotësisht familjen e tij, në një kolektiv të vogël sportistësh. Durrësi i detyrohet shumë këtij kalorësi të notit, nga më të mirët e historisë së tij.

Eh Mirban Kadiu! Sa mall! Dhe nostalgjia na pushton të dyve, sa që dalim nga realiteti dhe biem në kujtime. Kujtime të bukura. Kujtime të ëmbla për miqtë, shokët, notarët, që bënë historinë më të çmuar të këtij sporti të gjithpushtetshëm në Durrës. Noti, tradita dhe simbolika! Një trinom historik, me plot vlera, që dikton aq ëmbël si një notim në një det bunacë, atë traditë të hershme, të çmuar që e ka emrin noti cilsësor dhe i paharruar i Durrësit. Bonin kemi 15 muaj që nuk mundemi ta takojmë më. Por na la mbi tokë, historinë e tij të bujshme të 38 medaljeve të fituara, të rezultateve të nivelit europian për veteranët, të vlerave të pakonkurueshme organizative. Ishte ai që i mblidhte shokët, bëhej copa për të vlerësuar ndihmesën e tyre në not, duke e kthyer Durrësin gjithnjë, në qytetin e meritave të pashoqe në sportin e ujit të detit dhe të pishinave.

Xhevdet Mitraku! Niko e ka patur bashkëtrajner, kur punonin aq mirë me ekipin e notit të femrave të Lokomotivës dhe Teutës. Ngjarje, fakte, histori! Edhe Mitrakun nuk e kemi më. Janë në dheun e vendlindjes së tyre, që aq shumë bënë për të kur gjaku i lëvizste në trup. Dhe e mbyll grupin e notarëve Fatmir Kërçiku, “Daja” i famshëm i tifozërisë durrsake. Notari i stafetave, pasi jo rrallë Daja i jepte fitoren e vëndit të parë Lokomotivës, nën thirrjet frenetike të tifozërisë durrsake.

Këtë foto më tregoi Niko Kurani, në mëngjesin e të enjtes së 13 shkurtit 2020. Kjo foto na përgjunji dhe na bëri të lotojmë pikërisht në këtë mëngjes, çuditërisht të një dite të ngrohtë, plot diell të këtij shkurti ngacmues. Dhe ishte ky mëngjes që më detyroi, të lija çdo gjë për të vlerësuar dhe respektuar të 15-tët e fotos së 6 dhjetorit 2008.

Dhe këtë detyrim, do ta bëj sa të mundem, në nder të notit dhe notarëve të Durrësit, që noti mbeti vetë jeta e tyre.

Durrës: 13 shkurt 2020

Në foto:

Në këmbë nga e majta: Kujtim Cankja, Josif Koçi, Mehmet Kikrri, Luan Rexha, Sami Dollaku, Agron Kollaku, Bujar Qesja, Tomor Fishta, Rexhep Pojana.

Poshtë nga e majta: Fatmir Murati, Hysem Haxhia, Niko Kurani, Mirban Kadiu, Xhevdet Mitraku, Fatmir Kërçiku.

6 dhjetor 2008