Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të prishë vendimin e GJKKO-së që dënoi me 11 vite burg Erjon Kasmin, si organizatori i skeme mashtrimi me call center, si edhe me 10 vite pas hekurave Xhuljan Xhafën.
Togat e zeza të Apelit të GJKKO-së vendosën që aktet të dërgohen për gjykim në GJKKO, por me një tjetër trupë gjykuese.
“Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: Prishjen e vendimit nr. 43, datë 08.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke urdhëruar dërgimin e akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë”, thuhet në vendim.
Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Nertina Kosova (anëtare), më datë 23.04.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 13 akti, datë 20.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe ankimeve të ankuesve/të pandehurve E.K. dhe Xh.Xh., kundër vendimit nr. 43, datë 08.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Prishjen e vendimit nr. 43, datë 08.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke urdhëruar dërgimin e akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë.
******
Dënimi i GJKKO-së:
GJKKO, me vendim të datës 8 korrik 2024, dënoi me 11 vite burg, Erjon Kasmin si është organizatori i skemës mashtruese të call center ku iu zhvatën 7 milion euro qytetarëve gjermanë.
Erjon Kasmi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi iu ul në 7.4 vite qëndrim pas hekurave.
Ndërsa Xhuljan Xhafa u dënua me 10 vite, por iu ul me 1/3 nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar përfundimisht me 6.8 vite.
Nga kjo skemë mashtrimi qindra shtetasve në BE i është shkaktuar një dëm prej 7 milion eurosh. Nga hetimet e procedimit penal të vitit 2021 ka rezultuar se shtetas gjermanë, francezë, italianë, spanjollë dhe grekë ftoheshin nga agjentët e subjektit Bluenergycall sh.p.k., shoqëri me lidhje me Kasmin dhe Xhafën, që të investonin në bursa ndërkombëtare, duke bërë depozitimin e parave sipas udhëzimeve të agjentëve, në platformat mashtruese.
Këto depozita nga viktimat bëheshin në llogari të cilat kanë rezultuar se gjenden në banka të vendeve të ndryshme si në Bullgari, Lituani, Poloni, Qipro, ku më pas zhdukeshin nëpërmjet transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë.
Sipas prokurorisë, është provuar se një pjesë e parave të depozitave të viktimave kanë përfunduar në llogaritë e të pandehurve në Shqipëri.