Jemi në kulmin e sezonit veror dhe intensiteti i vizitave mjekësore në 5 qendrat shëndetësore të bashkisë Durrës mbetet i lartë. Nuk mungojnë dhe rastet kur pacientë të caktuar shoqërohen drejt spitalit rajonal për një vizitë më të specializuar.

Pushuesit vendas dhe të huaj paraqiten me problematika nga më të ndryshmet pranë stafeve mjekësore për të marrë ndihmën e parë, por kryesisht dominojnë patologjitë që lidhen me temperaturat e larta.

“Sezoni veror normalisht ka pasojat e veta për shkak të temperaturave të larta dhe rastet kryesisht janë sëmundje që shkaktohen nga temperaturat e larta, si p.sh. hipertensioni, goditjet nga i nxehti, djegiet nga dielli, alergjitë, pickimet nga gjallesat e detit, nga insektet etj.”,– thotë mjeku Rrem Kumnova, që punon pranë Qendrës Shëndetësore Verore në Shkëmbin e Kavajës.

Përgjatë muajve qershor dhe korrik, pranë 5 qendrave shëndetësore verore, ku ofrojnë shërbim 24 orë një staf prej 14 mjekësh dhe 20 infermierësh janë regjistruar gjithsej 4,560 pacientë.

“Qendrat janë të pajisura me mjekë, infermierë dhe medikamentet e nevojshme, duke ofruar shërbim 24 orë, 7 ditë të javës, për t’u ardhur në ndihmë pushuesve vendas dhe të huaj.

Në pesë qendrat verore janë angazhuar në total 14 mjekë dhe 20 infermierë. Deri në këtë periudhë, në pesë qendrat verore janë paraqitur gjithsej 4,560 qytetarë, nga të cilët 3,926 vendas dhe 632 të huaj”,- thotë për “DurrësLajm” drejtoresha e Njësisë Vendore tëë Kujdesit Shëndetësor, Fatbardha Jaho.

5 qendrat shëndetësore verore frekuentohen në masë të madhe edhe nga shtetasit e huaj, për të cilët shërbimi që ofrohet nga stafi mjekësor është shumë profesional dhe cilësor. Megjithëse është viti i parë, që për ta po aplikohet shërbimi me pagesë, stafet mjekësore nuk janë përballur me kundërshti.

“Qendra shëndetësore është shumë afër hotelit ku unë rri. Më vlejti shumë biseda me doktorin dhe fakti që më dha një medikament për të kuruar kollën. Shërbimi ishte shumë i mirë, i shpejtë dhe profesional. Gjithashtu qendrën shëndetësore e gjeta shumë kollaj”,- na thotë një turist nga Ukraina.

Në bashkinë Durrës, përgjatë vijës bregdetare funksionojnë  5 qendra verore në Currila, Plazh, Shkëmbin e Kavajes, Hamallaj dhe Gjirin e Lalzit.

M.B.