Aldo Brahimi, 22-vjeç, dhe Ylli Grabovari, 45 vjeç, u arrestuan ditë më parë nga policia si autorë të vrasjes së 32-vjeçares Luljeta Preza, pranë Urës së Dajlanit.

E ëma e Aldo Brahimit, nga Lushnja deklaroi paraditen e sotme para gjykatës së Durrësit se i biri kishte disa javë që ishte larguar nga shtëpia për të punuar në Durrës, ku do të mblidhte hekura.
E ëma deklaroi se ajo nuk kishte dijeni se me çfarë merrej djali i saj, ndërkohë që pohon se kjo ishte hera e dytë, që ai largohej nga shtëpia.
“Të kalbet brenda nëse e ka bërë. Nese Aldo e ka kryer vrasjen, le të marrë dënimin që i takon”,– deklaroi Donika Hamzai ndër të tjera.
E ëma e 22-vjeçarit ishte e shoqëruar në gjykatë nga bashkëshorti aktual, Sabri Hamzai, njerku i të riut, i cili ka rrëfyer se ka mbërritur në vendngjarjen në Durrës ditën kur u publikua lajmi i vrasjes së 32-vjeçares dhe se është marrë në pyetje nga policia.
Gjykata e Durrësit pritet të japë masën e sigurisë për dy të arrestuarit ditën e sotme.





