“Shtëpia e Muhamet Biçakut, 83 vjeç, u shkatërrua gjatë fatkeqësisë së 26 nëntorit që mori jetën e të paktën 51 personave në kombin ballkanik. Gjatë Holokaustit, babai i Biçakut, Mefaili dhe vëllai i madh, Njaziu, strehuan rreth 20 familje hebreje.

Kështu e nis shkrimin “The Times of Israel”, e cila i ka dedikuar një artikull familjes Biçaku me vendbanim në Durrës e origjinë nga fshati Qarrishtë i Librazhdit, të cilët do të bëhen me një banesë të re, falë kontributit të grupit hebre.

Ndërtimi i banesës, kostoja totale e të cilës është 45 mijë dollarë, do të bëhet nga një grup përkujtimor i Holokaustit për nder të shpëtimit të Hebrenjve nga babai i Muhamed Biçakut. Organizata “From the Depths”, me qendër në Poloni, që përqendrohet në përkujtimin e veprimeve të shpëtimtarëve të Hebrenjve, ka mbledhur 10,000 dollarë deri më tani për të rindërtuar shtëpinë.

Jonny Daniels, i cili është edhe themeluesi i këtij grupi deklaron se po vazhdon ende me mbledhjen e fondeve, ndërsa mësohet se në muajin shkurt do të ketë një verdikt final për nisjen e punimeve.

Mbesa e Muhamed Biçakut, në një komunikim për “DurrësLajm”, shprehet tejet e entuziasmuar për lajmin e mirë që morën gjatë ditëve të vështira që po kalonte vendi ynë.

Fillimisht kontakti i parë ka qenë pikërisht Marsida Lala, mbesa e Muhamedit, e cila në sajë të një dokumentari që ka realizuar pikërisht për historinë e strehimit të hebrenjve në Shqipëri nga paraardhësit e saj, ishte ura lidhëse me përfaqësuesit e organizatës.

“Emocionet dhe kënaqësia që morëm ishin të mëdha sigurisht. Vlerësojmë shumë faktin që ata vazhdojnë të jenë mirënjohës dhe të mos i harrojnë kurrë sakrificat dhe atë çka paraardhësit e mi kanë bërë rreth 75 vjet më parë. Kanë dashur të shpërblejnë të mirën e madhe që iu bë nga shqiptarët në kohën që ata kishin nevojë për të shpëtuar veten e tyre nga nazistët”, thotë Marsida.

Disa muaj më parë, “DurrësLajm” publikoi dokumentarin interesant të realizuar nga Marsida Lala (shih videon në fund), studente në UAMD, në të cilin ka trajtuar historinë e strehimit të 26 hebrenjve në vitet 1943-1944 në fshatin Qarrishtë të Librazhdit. Marsida ia dedikoi këtë dokumentar gjyshit të saj, Muhamed Biçakut, babai i të cilit ndihmoi për 2 vite 26 hebrenj; burra, gra e fëmijë të pafajshëm, që u kthyen në endacakë për t’iu shpëtuar nazistëve që kërkonin t’i zhduknin në mënyrë makabre. Gjyshi Muhamed Biçaku është nderuar edhe në Amerikë me çmimin “Kujdesi për të Kujdesurit”; për mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shpirti dhe karakteri heroik i shqiptarëve të mirë, që mbrojtën me jetë këta persona nuk është harruar kurrë dhe sot është koha që nderi po iu kthehet mbrapsh.

Artikulli i plotë në “The Times of Israel”:

Një burri mysliman shqiptar, shtëpia e të cilit u shkatërrua nga tërmeti, do t’i rindërtohet nga një grup përkujtimor i Holokaustit për nder të shpëtimit të Hebrenjve nga babai i tij.

Shtëpia e Muhamet Biçakut, 83 vjeç, u shkatërrua gjatë fatkeqësisë së 26 nëntorit që mori jetën e të paktën 51 personave në kombin ballkanik. Gjatë Holokaustit, babai i Biçakut, Mefaili dhe vëllai i madh, Njaziu, strehuan rreth 20 familje hebreje nga forcat okupuese italiane dhe gjermane në Qarrishte, një fshat që ndodhet rreth 50 milje në lindje të kryeqytetit Tiranë.

“From the Depths”, një organizatë me qendër në Poloni që përqendrohet në festimin e veprimeve të shpëtimtarëve të Hebrenjve, ka mbledhur 10,000 dollarë për të rikthyer shtëpinë, shkroi themeluesi i grupit, Jonny Daniels, në një deklaratë të mërkurën, pasi vizitoi Shqipërinë, si pjesë e një misioni humanitar pas tërmeti. Kostoja totale do të jetë 45,000 dollarë dhe mbledhja e fondeve po vazhdon, tha ai.

Muhamet Biçaku, i cili ishte 5 vjeç kur babai i tij filloi të strehojë refugjatë hebrenj, tani po jeton në kushte të mbushura me njerëz në një shtëpi të një prej fëmijëve të tij në Durrës, 20 milje në perëndim të Tiranës.

Në vitin 2007, ai mori në emër të familjes së tij medaljen “Kurajo për Kujdesin” (Courage to Care) nga Anti-Defamation League (medalje që u jepet atyre që strehuan dhe shpëtuan hebrenj). Babai dhe vëllai i tij u njohën në vitin 1996 nga Izraeli si “Të Drejtë midis Kombeve”, titulli i vendit për jo-hebrenjtë që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit.

Ata i ofruan popullit tonë nevojat më themelore të nevojave njerëzore, strehim, në periudhat e tyre të vështira, duke shpëtuar jetën e tyre,” shkroi Daniels. “Duhet të jetë e qartë për ne sot që të mblidhemi dhe ta kthejmë atë favor.”

S.L.